Turqia mbulon tregun e Rusisë, pas sanksioneve të Perëndimit

Kompanitë ruse kanë shtuar porositë e tyre te firmat turke, pasi Moska ndaloi importimin e shumicës së ushqimeve nga Perëndimi, në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e SHBA-ve dhe BE-së si pasojë e krizës në Ukrainë.

Lajme

12/08/2014 20:55

Lajmi bëhet i ditur nga grupi i eksportuesve turq.

“Kërkesat nga Rusia për produktet turke janë rritur ndjeshëm, pas shpalljes së kufizimeve tregtare me SHBA-BE”, tha kreu i asamblesë së eksportuesve turq, Mehmet Buyukeksi për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

“Ne presim që një delegacion rus të vizitojë Turqinë javën e ardhshme lidhur me këtë problematikë”, tha ai.

Javën e kaluar Moska ndaloi importimin e shumicës së produkteve ushqimore dhe bujqësore nga Perëndimi, në shenjë hakmarrjeje ndaj sanksioneve të vendosura të Perëndimit ndaj saj.

Buyukeksi tha se pret një rritje domethënëse të eksporteve të mishit të shpendëve dhe prodhimeve të detit, dhe se Turqia do të përmbushë të gjitha kërkesat në rritje për fruta dhe perime.