Turqia kërkon tërheqjen e ambasadorit të Izraelit

Ambasadori i Izraelit në Ankara, Eitan Naeh, është thirrur në MPJ të Turqisë ku i është shprehur notë proteste për shkak të qëndrimit izraelit në incidentet në kufi të Gazës

Bota

15/05/2018 16:38

Ambasadori i Izraelit në Ankara, Eitan Naeh, është thirrur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Turqisë, ku i është shprehur notë proteste për shkak të qëndrimit izraelit në incidentet në kufi të Gazës, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve nga burimet diplomatike, Naeh është thirrur në MPJ të Turqisë për shkak të incidenteve të djeshme në kufirin e Gazës, të cilat shkaktuan vdekjen e 60 palestinezëve dhe plagosjen e më shumë se 2.770 të tjerëve.

Naeh u informua se Ambasadori i Turqisë në Tel Aviv, Kemal Ökem, është thirrur në Turqi për konsultime. Ai po ashtu u njoftua se do të jetë e përshtatshme që për një kohë të kthehet në shtetin e tij.

Zhvendosja e djeshme e Ambasadës së SHBA-ve nga Tel Avivi në Kuds shkaktoi reagime në rajon.

Ushtarët izraelitë vranë 61 palestinezë dhe plagosën më shumë se 2.770 të tjerë, të cilët morën pjesë në protestat e organizuara në kufirin e Gazës nën rrethim, me qëllim për të protestuar kundër hapjes së ambasadës amerikane në Kuds.

Turqia, e cila reagoi ashpër ndaj sulmit të Izraelit kundër palestinezëve, shpalli tri ditë zie kombëtare për palestinezët.