Turqia interesohet për prodhimet bujqësore të Shqipërisë dhe Kosovës

Turqia është e interesuar të shtojë shkëmbimet tregtare të prodhimeve bujqësore me Shqipërinë dhe Kosovën.

Lajme

11/06/2014 21:26

Në kuadër të nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit me Këshillin e Agrobiznesit Shqiptar (KASH), delegacioni nga Bursa e Izmirit (Turqi) zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, për t’u njohur nga afër me potencialet e bujqësisë shqiptare dhe për t’i hapur rrugë zgjerimit të marrëdhënieve të biznesit midis kompanive turke dhe atyre shqiptare.

Delegacioni u prit nga ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti. Bisedimet në këtë takim u përqendruan në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e bujqësisë, dhe veçanërisht në futjen ose kuotimin e prodhimeve bujqësore shqiptare në bursën e këmbimit të mallrave të Izmirit, Turqi.

Falë këtij bashkëpunimi, për herë të parë frutat dhe perimet shqiptare do të prekin mënyrën moderne të shitjes (bursën), duke i hapur një rrugë të re bujqësisë shqiptare në tërësinë e saj.