Turqia hapë kufirin për refugjatët, mijëra kurdë të përndjekur nga ISIL-i

Turqia ka hapur të premten kufirin e saj jugorë, duke lejuar të hyjnë mijëra kurdë sirianë, të përndjekur nga militantët sunitë të “Shtetit Islamik”, të cilët dy ditë më parë zgjeruan territorin e tyre në Siri, duke futur nën kontroll dhjetëra fshatra. 

Bota

19/09/2014 17:30

Lajmin për lejimin e kurdëve që të futen në Turqi e ka bërë të ditur vet kryeministri turk, Ahmet Davutoglu.

Pamjet televizive të televizioneve turke treguan njerëz të rraskapitur, kryesisht gra e fëmijë, që kaluan kufirin në fshatin juglindore Dikmetas, nën masa të forta sigurie.

Në kufi pati edhe përleshje mes kurdëve refugjatë dhe shtetasve turq, të mbledhur për të mos lejuar hyrjen e tyre, mirëpo ajo kaloi pa ndonjë incident të madh, meqë aty ishte e pranishme ushtria dhe policia turke, raporton BBC, transmeton lajmi.net.

Kurdët sirianë shtrihen përgjatë kufirit me Turqinë, ndërsa miroja prej tyre prej dy ditësh prisnin pran telave për t’iu dhënë mundësinë që të shpëtojnë nga ofensiva e re të cilën e kanë filluar para tri ditësh militantët e grupit terrorist “Shteti Islamik i Irakut dhe Levanit” (ISIL).

Turqia, e cila në juglindje kufizohet me Irakun dhe Sirinë, ka pranuar 847 mijë refugjatë sirianë që nga kryengritja kundër presidentit Bashar al-Assad, e cila filloi në vitin 2011, për të degjeneruar më pas në luftë sektare.

“Ne sot pranuam katër mijë refugjatë kurdë të Sirisë. Ne pranuam vëllezërit tanë. Numri mund të rritet. Ata janë këtu dhe ndaj tyre nuk mund të ketë asnjë diskriminim etnik apo sektar.  Ky është një mision humanitar”, tha  kryeministri Davutoglu, në paraqitjen e tij për media, raporton BBC, transmeton lajmi.net.

Ditë më parë, policia dhe ushtria turke përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë një protestë të kurdëve turq, të cilët po protestonin kundër mbylljes së kufirit nga ana e autoriteteve turke.   

Po ashtu, disa vende perëndimore ushtruan presion ndaj Ankarasë zyrtare për të frenuar kalimin e militantëve islamikë që po i bashkohen “shtetit Islamikë”, duke shfrytëzuar kalimin e lehtë dhe pa shumë procedura nëpër pikat kufitare të Turqisë.  

Militantët sunitë, përmes masakrimit të mbi pesë mijë civilëve, të krishterë dhe myslimanë shiitë, gjatë tre muajve të fundit, kanë futur nën kontroll në pjesë të madhe të territorit të Irakut dhe Sirisë, duke shpallur në korrik edhe kalifatin e tyre, të quajtur “Shteti Islamik”.

Në fillim të kësaj jave, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i kritikuar për qëndrim të butë ndaj ISIL-it, tha se Turqia është duke përgatitur planet për krijimin e një tampon zone  në kufirin e saj me Irakun dhe Sirinë.

Po ashtu, javën e kaluar, tridhjetë vende janë zotuar që të bashkohen në një koalicion të udhëhequr nga SHBA-të kundër militantëve të “Shtetit Islamik”, por Turqia ka thënë se do të lejojë vetëm operacionet humanitare dhe logjistike nga një bazë ajrore e NATO-s që ndodhet në territorin e saj.

Analistët vlerësojnë se Erdogan nuk është i gatshme të marrë një rol të rëndësishëm në luftën kundër militantëve islamikë, edhe për faktin se rrezikon jetën e 49 qytetarëve turq, të cilët u kapën muaj më parë në Mosul dhe po mbahen peng nga “Shteti Islamik”. /lajmi.net/