Turqi, 18 minatorë të zhdukur

Tetëmbëdhjetë minatorë konsiderohen të zhdukur të martën në minierën e thëngjillit në Turqi pas depërtimit të befasishëm të ujit në galeri. 

Bota

28/10/2014 20:34

Fatkeqësia ndodhi herët pasdite në minierën Erkemek, në provincën Karama, afro 500 kilometra në jug të kryeqytetit Ankara. “Dyzet punëtorë gjendeshin në minierë kur galeria ku punonin ata u vërshua nga uji”, deklaroi guvernatori lokal Murak Koca, citon agjencia turke e lajmeve Anatolya.

Gjysma e minatorëve arritën të dalin shpejt në sipërfaqe, por zyrtari i firmës Has Sekerler, e cila eksploator minierën nuk fshehu pesimizmin për fatin e atyre që kanë mbetur në fund të galerisë së përmbytur në 300 metra thellësi.

“Mendojmë  që kanë mbetur 18 minatorë në atë galeri”, tha Sahin Uyar për CNN-in turk, duke shtuar se “ata mund të qëndrojnë në situatë të tillë maksimalisht dy orë”.

Ekipet e shpëtimit kanë arritur shumë shpejt në vendin e ngjarjes dhe po bëjnë përpjekje për nxjerrjen e minatorëve të ngujuar.

Asnjëri zyrtar nuk dha detaje për shkaqet e vërshimit dhe përmbytjes së minierës.

Turqia është vendi i tretë në botë për nga shkalla e vdekjes në vendet e punës, sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës.