Turpin në Beograd e mbulon disi Brukseli! Turp!

Nazizmi u shtyp sepse bota e civilizuar foli njëzëri kundër Gjermanisë, edhe pse jo të gjithë gjermanët ishin nazistë. Edhe Serbia do të ndahet nga racizmi dhe urrejtja, sepse jo të gjithë serbët janë të tillë! Kjo do të ndodhë atëherë kur bota e civilizuar do të flet njëzëri edhe me Serbinë. Na ndihmoni, sepse ne shqiptarët jemi të parët që e duam Serbinë ndryshe! Fqinje! Madje mike!

Opinion

16/10/2014 20:52

“Politika nuk duhet të përzihet në sport”! Vërtetë!? Kështu do të duhej të ishte në një “botë perfekte”. Mirëpo se kjo është vetëm një frazë, shpeshherë kote, na dëshmuan edhe institucione sportive dhe politike evropiane. Po! Edhe Bashkimi Evropian! Një institucion me kaq peshë të madhe në kontinentin tonë, vazhdon “pavetëdije”  të bie pre e shovinizmit dhe racizmit serb që prej çerek shekulli, që kur filloi shkatërrimi i ish-Jugosllavisë. Dhe kjo është arsyeja pse Serbia e ka të gjallë në shpirt e zemër urrejtjen dhe racizmin ndaj të gjithë fqinjëve të saj.

Kërkesa e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq të mos dëgjojë asnjë fjalë qortuese nga Bashkimi Evropian për dhunën (urrejtjen dhe racizmin) e shfaqur në Beograd të martën që kaloi, në ndeshjen Serbi-Shqipëri, ishte poshtëruese për Brukselin. Por ja se për habinë tonë, edhe atje në Bruksel, janë disa zyrtarë që janë mësuar të durojnë, të përpijnë disi provokimet serbe, e disa burokratë të kërkojnë prej nesh që t’i nënshtrohemi Serbisë. Dhe nga presioni i zyrtarëve largpamës përballë burokratëve, Brukseli bie disi dakord që të ndajë fajin e Serbisë me fqinjët e saj. Kaq!

Nuk është për tu habitur shumë. Kështu u sollën burokratët evropianë edhe ndaj krimeve të luftës që Serbia kreu gjatë luftërave në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë e në Kosovë! E turpshme! Vërtetë! Politikë edhe me çështje humanitare! Prandaj politika serbe vazhdon t’i mbajë fshehur ende trupat e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, edhe të fëmijëve, grave shtatzëna e pleqve, që i barti e i varrosi nëpër varrezat masive në Serbi, në përpjekje për të humbur gjurmët e krimit.

Megjithëkëtë, meqë Serbia ende kontrollon disi veriun e Kosovës, e do anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe mban lidhjen e fortë me Rusinë, Brukseli vazhdon të na kujtojë se nuk janë vetëm ata (serbët) fajtorë: jeni edhe ju (shqiptarët) që keni vrarë edhe policë e ushtarë serbë, gjatë luftës; se aty këtu keni vrarë edhe ndonjë paramilitar e civil serb. Luftë, por nuk është dashur të vritet asnjë! Na kujton “krimet” edhe neve, edhe pse ne, as atëherë, as tani, nuk reagojmë si serbët, por pajtohemi, bëjmë kompromise, ua japim të gjitha të drejtat serbëve të Kosovës, me Kushtetutë.  Sepse, ne vërtetë e duam barazinë për të mirë, Bashkimin Evropian, sepse jemi Evropë, sepse jemi myslimanë, të krishterë dhe ortodoksë, sepse nuk jemi ne ata që kemi bërë agresion ndaj askujt, as gjenocid, asnjëherë, ani se vazhdojmë të jemi kombi i vetëm që jeton në pesë-gjashtë shtete.

Kështu, që prej vitesh disa burokratë të Bashkimit Evropian zhvlerësojnë rolin e këtij mekanizmi në arenën ndërkombëtare dhe pengojnë planet e disa shteteve të këtij unioni që dëshirojnë me të vërtetë të shohin një Evropë ndryshe nga e kaluara. Për një lodër fëmijësh që fluturoi me një flamur mbi Beograd, për të cilën nuk ka fakte se kush dhe pse e ngriti atje, por edhe sikur të kishte, burokratët e Brukselit shtyjnë Bashkimi Evropian që të minimizojë dhunën, urrejtjen e racizmin serb sa herë që ai shfaqet, së fundmi edhe në fushën e futbollit. A nuk është kjo politikë? Apo duhet të presim shpjegimin se çfarë është politika, sipas tyre. Kjo s’i kontribuon paqes dhe stabilitetit në Ballkan, por është thjesht turp, për faktin se tentohet që të mbulohet turpi e mjerimi i politikës serbe.

Këtë nuk e shkruaj për të ndihmuar në nxjerrjen e fakteve që UEFA t’ia jep Shqipërisë ato tri pikë në tavolinë. Të ndarë si jemi, jemi mësuar si komb të mos marrim pjesë në kampionate të mëdha sportive. Por kjo nuk na bën të dorëzohemi! Vazhdojmë garën sipas rregullave të lojës, prandaj edhe po shkruaj për dyfytyrësinë e disa zyrtarëve në Bruksel, të cilët ende vazhdojnë ta mbajnë të gjallë apetitin hegjemonist serb, edhe në futboll, edhe përkundër faktit se edhe pas pavarësisë së Kosovës, edhe sot e kësaj dite, më shumë jetojnë shqiptarë në Serbi sesa serbë në Kosovë.  

Edhe!? Edhe kërkohet të lëshojmë pe, të marrim përgjegjësinë për diçka që ne nuk kemi asnjë pikë përgjegjësie. Për një fluturake, lodër fëmijësh, që çoi mbi Beograd flamurin kombëtar të shqiptarëve me hartën e Shqipërisë Etnike. Për një hartë që e njohin të gjithë në Beograd e Bruksel (ngase dikur burokratët evropianë të asaj kohe u pajtuan me ndarjen e saj), për një hartë që e ka frikë Serbia, që ne e kemi të “vizatuar” me gjak e në gjak, por që asnjëherë nuk e nisëm vetë luftën për ta bërë realitet. Luftuam vetëm atëherë kur ishim të sulmuar, kur ishim përpara gjenocidit, shfarosjes e pastrimit etnik, sipas projekteve të shkruara e të bëra publike në Beograd.

Ne vërtetë jemi autoktonë, ashtu siç shkruehj në atë flamur, evropianë denbabaden, por po ashtu edhe të vetëdijshëm se nuk mund t’i kthejmë serbët në Karpate, nga kanë ardhur para 13-14 shekujsh. As nuk e duam një gjë të këtillë, as nuk po kërkojmë ta bëjmë Ballkanin si dikur, Perandori e Ilirisë, madje as ta çojmë kufirin në qendër të Serbisë, në Nish, atje ku para hiç më shumë se 100 vjetësh jetonin shqiptarët në tokat e tyre, por që u vranë, shfarosen dhe përzunë. Edhe atëherë përpara syve të disa burokratëve të tjerë evropianë. Histori kjo, e dokumentuar, që nuk dëshirojmë t’i përsëritet askujt, sepse është e dhimbshme. Nuk harrohet! 

Sot, ne nuk po i kërkojmë Bashkimit Evropian t’i bindë me zor Spanjën, Sllovakinë, Qipron, Rumaninë e Greqinë ta njohin Kosovën, edhe pse kështu do të përmbushej më lehtë misioni, ai i Evropës së bashkuar, por kërkojmë e presim nga Brukseli zyrtar që përkundër historisë sonë tragjike, të na ndihmojë ta bindim Serbinë se ka për fqinj një popull autokton, ndryshe prej popullit serb. Dhe kjo që e them nuk është ultra-nacionalizëm ashtu siç interpretohet nga burokratët, porse është përpjekje e shqiptarëve për të mbijetuar në tokën e tyre, pa luftë, në fqinjësi të mirë me Serbinë, për të mos vazhduar prej dhunës migrimin ilegal në pjesën tjetër të Evropës. 

Si shqiptar, e ndjej se shqiptarët vërtetë shpeshherë janë e keqja e vetvetes, edhe sot, por edhe kjo ka të bëjë edhe me sjelljen e pjesës tjetër të Evropës ndaj nesh jo vetëm që prej okupimit serb më 1913, por edhe që prej atëherë kur u pushtuam e u ndamë me vështirësi nga Perandoria Otomane, më 1912. Histori edhe kjo? Jo! Përpjekja për të mos i njohur as ato tiparet e mira që kanë shqiptarët, është përpjekje për të zhvlerësuar dhe barazuar me të këqijat që mund t’i ketë dikush tjetër. Edhe pse të lodhur nga e kaluara e tyre, shqiptarët nuk mund të pranojnë kurrë mesazhin gjykues: “ju ballkanasit jeni të njëjtë”, që vjen nga ky soj zyrtarësh nga ana tjetër e Evropës. Ballkanasit janë siç janë pikërisht sepse atje nuk pranohet se ne vërtetë nuk jemi të njëjtë! Dallojmë! Sepse, historikisht, në çdo luftë, edhe këtë të fundit (1999), ushtria dhe policia serbe, pra shteti serb, vrau foshnje e gra shtatzëna. Ndërsa ne nuk e bëmë këtë, nuk pendohemi që nuk e kemi bërë, dhe as nuk do ta bëjmë kurrë. Jemi “paksa” ndryshe.  Por kjo nuk pranohet në Bruksel dhe ky është problemi i “krenarisë” në Beograd që sjell dhunën. E po thonë tek ne “Kur të ndodhë e keqja, mos pyet çfarë u bë!”.                        

Gjithçka është politikë, prandaj zvarriten problemet, zgjatet edhe teksti, ende pa e përkujtuar edhe njëherë atë që ndodhi në Beograd. Përveç të lartpërmendurave, problemeve të mëhershme, për të cilat nuk po zgjerohem, e që kanë ndodhur në ndeshjet me Anglinë, Italinë, vrasjen e tifozit francez para katër vjetësh, po përmend faktet që çuan deri tek dhuna, urrejtja e racizmi në ndeshjen Serbi-Shqipëri, që për fat të mirë, përfundoi pa masakrimin e lojtarëve të Kombëtares shqiptare, pasi këta nuk pranuan më të ktheheshin në fushë, përkundër insistimit idiotesk që bëri UEFA, madje edhe e futi si njërën prej dy pikave akuzuese për kombëtaren shqiptare. 

Një javë përpara se të vinte fluturakja lodër me flamurin e shqiptarëve përmbi stadiumin e Partizanit, ajo “drone”-ja, tashmë e mallkuar nga një mitropolit serb (edhe kjo gjë e turpshme, por njëherë pa pasoja), u mor vendimi i UEFA-s, natyrisht me kërkesë të Serbisë, për të ndaluar tifozët shqiptarë të shikojnë ndeshjen në Beograd. Nuk duhej të ndodhte kështu. Një shtet që nuk mund të garantojë rendin dhe sigurinë në një ndeshje futbolli nuk duhet të lejohet të merr pjesë në garë. Por ja, UEFA, për fajin e Serbisë, ndëshkoi Shqipërinë, në vend që të merrte vendim që loja të luhej me tifozët e të dyja kombëtarëve në tribuna, ose të paktën me stadium të zbrazët.

Kjo nuk i mjaftoi Serbisë, andaj me qëllim të shkatërrimit psikologjik të lojtarëve të Shqipërisë, mediat serbe, shtetërore e private, gjatë gjithë javës propaganduan një luftë të mundshme mes tifozëve serbë dhe atyre shqiptarë, nëse këta të fundit do të merrnin guximin të shkonin për të parë ndeshjen e kombëtares së tyre në Beograd. Paralajmëruan luftë nëpër rrugë, pasi në stadium të drejtën për tu futur e kishin vetëm tifozët dhe huliganët serbë, si dhe policia, e cila ua hapi dyert për t’i rrahur lojtarët kundërshtarë kur e nuhatën rrezikun e futjes së topit në rrjetë. Sepse, Serbia nuk bën të humbë! Edhe kur të humbë, duhet ta interpretojë si fitore! Pse? Sepse, për Serbinë kjo nuk ishte vetëm një lojë futbolli, por edhe politikë, shtetërore, e kalitur me racizëm e urrejtje ndaj shqiptarëve.

Pak orë përpara arritjes së “Shqiponjës” në stadiumin serb, e lëshuar nga një i panjohur, pika e dytë me të cilën UEFA e bën përgjegjëse Shqipërinë (qesharake), policia e Serbisë, e maskuar, ushtroi presion psikik mbi lojtarët shqiptarë, duke ua kontrolluar çantat dhe duke i ngacmuar me fjalë se “fitorja e tyre në Beograd është iluzion”. Madje, shkaktoi edhe skandal diplomatik, duke e mbajtur të ndaluar ambasadorin dhe diplomatë e gazetarë të tjerë shqiptarë në aeroport.  

Pastaj, që nga e minuta e parë deri në minutën e 42, kur flamuri “ra nga qielli”, atje nga ku shpeshherë kemi dëgjuar serbë tek thonë se e kanë origjinën, gjithçka përmbante urrejtje e racizëm. Atmosferë lufte, e njëjtë si atëherë kur Serbia e filloi luftën me Kroacinë në stadiumin e Zagrebit. Por kjo është “harruar”! Tash Brukseli pret “faktet” nga Beogradi, gënjeshtrën e radhës për çfarë janë më të zotët dhe dallojmë shumë (e vetmja gjë që e pranojmë të dyja palët).  

Në fushë të futbollit nuk u lejua të dëgjohet himni kombëtar nga thirrjet e 30 mijë tifozëve të nxitur nga huliganët: “Vrite, vrite shqiptarin”; “Vrite, preje shqiptarin, të mos mbetet asnjë”. Dhe përpara paraqitjes së atij “dreqi” nga qielli, në fushë të futbollit u gjuajtën shishe, fishekzjarre e mjete tjera të forta në drejtim të lojtarëve shqiptarë. Mjaftueshëm për ta ndërprerë ndeshjen. Por nuk lejonin burokratët e UEFA-s, nuk dëshironin që përgjegjësinë për turpin e kësaj nate ta merrte vetëm Serbia. Nuk po përmend provokimet nga lojtarët, pasi disa prej tyre vërtetë u përpoqën të mos ndodhte ajo që ndodhi. Por, ja që skenari serb nuk ishte në dorën e katër-pesë lojtarëve, as tifozëve serbë që kishin shkuar aty për ta parë ndeshjen, por ishte politikë e orkestruar nga shteti.

Dhe kur u pa se lojtarët dhe huliganët serbë po e humbin kontrollin, lojtarët me top e huliganët me mosdurim (fatmirësisht nuk pati gol), arriti edhe “fluturakja e famshme” me një flamur, që fluturonte e telekomanduar në mesin e mijëra flamujve serbë. Dhe ky ishte “provokimi i shqiptarëve” që duhet ndëshkuar disi jo vetëm nga Serbia, por edhe nga Brukseli, nëse burokratët atje do të arrijnë të bindin pjesën e shëndoshë të zyrtarëve evropianë!   

Tash Beogradi pret përfitimet, pasi kreu ndëshkimin. Policia serbe, katër mijë, pa bërë asnjë hap, lejoi disa huliganë të futen në fushë dhe të rrahin lojtarët shqiptarë. Kur hynë mjaftueshëm, në mesin e tyre edhe huliganë të njohur ndërkombëtarisht, policia filloi të reagojë, sepse e dinin që “loja politike” kishte marr fund. Tifozët, që gjatë gjithë kohës qëndruan në tribunë, u larguan vet, sepse përfundoi ndeshja, ndërsa huliganët, pasi i shfrytëzuan për të marrë masa ndaj lojtarëve shqiptarë në fushë, u desh t’i largojnë edhe me dhunë.

Në cilin shtet të asaj pjese të Evropës me të cilën duam dhe do të bashkohemi do të përpiqej të minimizohej racizmi, urrejtja e rrahja me karrige e lojtarëve kundërshtarë nga huliganët e futur në stadium? Në asnjë!

Por, fatkeqësisht, disa zyrtarë të Bashkimit Evropian e zëdhënës të tyre bien pre e burokratëve që shtyjnë përpara politikën serbe, dhe përpiqen të na hedhin “hi syve”, thua se ne nuk kemi parë asgjë. E ne, ju, ata, të gjithë, jemi të vetëdijshëm se Serbia vazhdon të fshehë ende krimet që ka bërë gjatë luftës; edhe ato krimet që ka kryer ndaj popullit të vet që t’i fajësojë shqiptarët (e ka pranuar vet kur ka pasur interes prej saj); përpiqet të na paraqesë tek bota si fundamentalistë islamikë që duhet mbajtur nën kontroll edhe pse dihet botërisht se ne nuk kemi bërë kurrë luftë fetare, as me njëri-tjetrin as me të tjerët, dhe nuk e kemi fare kompleks që jemi një komb me besime të ndryshme, myslimanë, të krishterë e ortodoks. Por, ne, vetëm ne, ende nuk mund të kuptojmë pse zyrtarë të Bashkimit Evropian bien në lajthitje të burokratëve që bëjnë politikën e Serbisë. Nuk e besoj se kjo ka të bëjë me mikpritjen e sotme të Vladimir Putinit në Beograd?

Nazizmi u shtyp sepse bota e civilizuar foli njëzëri kundër Gjermanisë, edhe pse jo të gjithë gjermanët ishin nazistë. Edhe Serbia do të ndahet nga racizmi dhe urrejtja, sepse jo të gjithë serbët janë të tillë! Kjo do të ndodhë atëherë kur bota e civilizuar do të flet njëzëri edhe ndaj Serbisë. Na ndihmoni, sepse jemi të parët ne shqiptarët që e duam Serbinë ndryshe! Fqinje! Madje mike!