Turp i madh për Canën

Paraqitja e dobët në ndeshjen që Nantes humbi 3-0 përballë Lillet, i ka siguruar Lorik Canës një vend në formacionin e dështimeve të kësaj jave në kampionatin francez, të përpiluar nga “football365.fr”.

Sport

05/04/2016 10:46

Kapiteni i kombëtares shqiptare nuk ka qenë futbollisti i vetëm i njohur në formacionin e më të dobëtëve të kësaj jave, pasi përkrah kishte lojtarë të skuadrave me emër si Marsielle dhe Monaco, ekipe të cilat ashtu si Nantes pësuan humbje zhgënjyese në fundjavë.

Cana ka “fituar” vendin në këtë formacion pasi humbi thuajse çdo duel me sulmuesin portugez Eder gjatë ndeshjes së të dielës.

Ndërkohë, dy futbollistë shqiptarë ishin protagonistë pozitivë në ndeshjet e kampionatit zviceran të kësaj jave. Jahmir Hyka dhe Burim Kukeli janë përzgjedhur nga gazeta “Blick” në formacionin ideal të kësaj jave, pasi ndihmuan përkatësisht Luzernën dhe Zyrihun të arrinin fitore të rëndësishme, transmeton TCH.

Hyka shënoi të shtunën në suksesin 5-1 të skuadrës së tij kundër Vaduzit, ndërsa ishte i pakapshëm nga mbrojtja kundërshtare.

Edhe Kukeli shkroi emrin e tij në listën e golashënuesve në këtë javë, duke realizuar në suksesin 4-0 të Zyrihut ndaj St. Galen, por ai është përfshirë në këtë listë për kontributin e jashtëzakonshëm që jep në fazën mbrojtëse për ekipin e tij.