Turizmi pret kryerjen e punëve tjera në Deçan

Në Komunën e Deçanit prioritet vazhdon të jetë përmirësimi i infrastrukturës, ndërsa turizmi mbetet në plan të dytë.

Lajme

15/04/2017 12:14

Pak mjete buxhetore ndahen nga buxheti komunal për zhvillimin e turizmit në Komunën e Deçanit.

Betim Mataj, drejtori për  Zhvillim Ekonomik  dhe të Turizmit në Komunën e Deçanit, tha për KALLXO.com se këtë vit ka pasur mjetet të ndara buxhetore prej 28 mijë eurove për drejtorinë e tij.

Sipas drejtorit Mataj, për shkak të punëve tjera për rritjen e  mirëqenies së qytetarëve, turizmi ka mbetur në plan të dytë.

“Jo nuk janë të mjaftueshme sidomos ne si komunë që besoj se pikë kryesore të zhvillimit e kemi turizmin, mendoj së është shumë pak. Mirëpo duke i pasur parasysh nevojat e qytetarëve për krijimin e infrastrukturës rrugore,ujësjellësin dhe në  përgjithësi në mirëqenie të tyre ka qenë si prioritet i dytë ma shumë zhvillimi i turizmit”, thotë Mataj për KALLXO.com.

Megjithatë, drejtori konstaton se edhe me këtë buxhet të vogël janë kryer punë që do të ndihmojnë zhvillimin e turizmit. Përmend realizimin e projektit për shtigjet e ecjes dhe çiklizmit.

Javë me parë kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, vuri gurthemelin e ndërtimit të  Qendrës së Turizmit në bashkëfinancim me Komisionin Europian.

Por Faton Selmanaj, sekretar organizativ i Lëvizjes “Vetëvendosje” në Deçan thotë se nuk e di sa do të hyjë në punë Zyra Informuese e Qendrës së Turizmit, përderisa nuk ka realizim të projekteve të cilat tërheqin turistët.

“Nuk e di sa do të hyjë në punë kjo zyre sepse nuk ka projekte që do i tërheqin vizitorët dhe se dimë për çfarë do shërbejë kjo zyre që ka filluar të punohet në të”, thotë Selmanaj.

Ai shumën që ndahet për turizëm dhe zhvillim ekonomik e konsideron qesharake.

“ Mendojmë që janë mjete qesharake, me 20 mijë euro nuk mund të mirëmbahet një rrugë e lerë të punosh ndonjë projekt për zhvillim të turizmit, “ thotë ai.