Turistët s’mund të marrin më me vete specat dhe domatet në Greqi

Dhjetëra turistë serbë të cilët javën që shkoi kanë qenë për pushime në Greqi janë ankuar se doganierët grekë ua kanë konfiskuar tërë ushqimin që kanë bartur me vete. Posaçërisht në shënjestër kanë qenë domatet, specat, frutat, si dhe mishi, transmeton Expressi.

Lajme

29/05/2016 15:35

Është fakt i njohur se shumë nga turistët e rajonit, si nga Maqedonia dhe Serbia, që shkojnë për pushime në Greqi me vete bartin sasi të mëdha ushqimi për shkak të çmimeve të larta në marketet dhe restorantet lokale. Tani kjo s’do të mund të bëhet më për shkak të ligjit të cilit u referohen nëpunësit grekë se çdo ushqim që s’e ka origjinën nga Bashkimi Evropian, e përveç kësaj edhe s’është i vakumuar, kanë të drejtë ta konfiskojnë.

Ligje të ngjashme tashmë ekzistojnë në Mal të Zi dhe në Kroaci.

Dispozita e këtillë është në fuqi prej më herët, por Greqia mbyllte njërin sy. Por, kriza financiare e bëri të vetën dhe tani kërkojnë mënyrë për t’i shtyrë turistët që të shpenzojnë sa më shumë derisa janë me pushime.