Turbullohet edhe më shumë Enver Hasani, harron komentarin e tij të Kushtetutës

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, nuk quhet rastësisht njeri kontrovers.

Lajme

15/06/2017 18:00

Këto ditë, ai tha se PAN-i do ta ketë vetëm një tentim për ta krijuar qeverinë. Mandatarin, herën e dytë, megjithëse e ka në diskrecion të tij, sipas Hasanit, presidenti duhet t’ua japë atyre që kanë shumicën parlamentare. Në të kundërtën, Hasani tha se presidenti do të bënte shkelje kushtetuese.

“Ajo që përcaktohet saktë është kjo, se presidenti bën shkelje kushtetuese nëse përjashton partinë e dytë, të tretë, të katërt apo me radhë. Nuk mund ta përjashtojë askënd”, ka thënë Hasani.

Edhe në dy rreshta deklaratë, Enver Hasani jo vetëm që shfaqet i turbullt, por edhe kontrovers, shkruan lajmi.net.

Derisa Gjykata Kushtetuese e ka lënë emërimin e mandatarit herën e dytë në diskrecion të presidentit, atëherë ai vendim nuk ka sesi të përbëjë shkelje kushtetuese.

Ndërsa, edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për rastin KO103/14, kryetar i së cilës në atë kohë ishte vetë Enver Hasani, thuhet se herën e dytë të gjitha partitë politike ose koalicionet parazgjedhore të përfaqësuara në Kuvend janë të barabarta para presidentit, që në përputhje me kriteret mbizotëruese, ta bindin atë se i kanë gjasat më të mëdha për ta formuar Qeverinë.

Por, po në këtë vendim, Gjykata Kushtetuese nuk përjashton që presidenti të vendosë t’i japë sërish partisë apo koalicionit të parë mundësinë që të propozojë edhe kandidatin tjetër për kryeministër.

Megjithatë, po kaq kontrovers është edhe në komentarin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i përgatitur nga Enver Hasani dhe Ivan Čukalović, ku vetë Hasani thotë diçka krejt tjetër.

Në nenin 95.4, paragrafi 3, Hasani thotë se nuk është e lejuar që kandidati për kryeministër që caktohet nga presidenti të vije nga një proces konsultues me një parti/koalicion që nuk e ka shumicën e ulëseve në Kuvend.

“Duhet thënë që, në kuptim të nenit 95.4, nuk është e lejuar që kandidati për kryeministër që caktohet nga presidenti të vije nga një proces konsultues me një parti/koalicion që nuk e ka shumicën e ulëseve në Kuvend. Kjo, prandaj, e bën ndalimin e që kandidati për kryeministër të zgjidhet nga një parti/koalicion që nuk e ka shumicën në Kuvend”, thuhet në këtë komentar të Hasanit.

Në kohën kur Gjykata Kushtetuese e kishte nxjerr vendimin të cilit i referohet Hasani, ai kishte qenë kryetar i saj. /Lajmi.net/