Do t’i luftojë krijesat monstruoze!

Pas sulmit me armë në Muzeun Bardo, në kryeqytetin tunizian, Tunis, ku mbetën të vrarë 19 njerëz, prej tyre 17 turistë, presidenti i Tunizisë, Beji Caid Essebsi, është zotuar se do të luftojë pa mëshirë terrorizmin.

Bota

19/03/2015 09:27

“Tunizia është në luftë me terrorizmin dhe terroristët. Këto krijesa monstruoze nuk na trembin. Ne do të rezistojmë deri në fundin e tyre dhe pa mëshirë. Demokracia do të fitojë dhe ajo do të mbijetojë”, tha presidenti Essebsi në fjalimin drejtuar kombit, të transmetuar nga televizioni kombëtar.

Shtatëmbëdhjetë turistë u vranë të mërkurën në këtë sulm, vizitorë nga Japonia, Britania, Italia, Kolumbia, Australi, Francë, Poloni dhe Spanjë. Po ashtu të vrarë mbetën edhe dy tunizianë dhe një polic.

Sipas njoftimeve të fundit nga Tunisi, më shumë se 40 njerëz u plagosën në Muzeun Brando, i cili ndodhet ngjit me ndërtesën e parlamentit dhe është shumë i njohur për artefaktet antike.

Sulmi ndodhi në kohën kur në parlament po debatohej projektligji kundër terrorizmit, por deputetët u evakuuan përpara se ta votonin. Forcat e sigurisë ndërhynë në Museun Brando dhe vranë dy persona të armatosur, por janë duke vazhduar kërkimin për bashkëpunëtorët e tyre.

Edhe kryeministri Habib Essid e ka dënuar ashpër këtë akt terrorist të radikalëve islamikë, duke thënë se ky është një moment kritik në historinë e Tunizisë, dhe një moment përcaktues për të ardhmen e vendit të tij.

Parlamenti u mblodh mbrëmë vonë serish në një seancë të jashtëzakonshme. Qindra tunizianë ndezën qirinj në portën e hyrjes së Muzeut Kombëtar Bardo, ndërsa mijëra të tjerë marshuan rrugëve kryesore të Tunisit për të protestuar kundër sulmit, që dyshohet të jetë kryer nga përkrahës të Shteti Islamik.

Shumë tunizianë kanë shkuar për të luftuar përkrah ISIS-it në Siri, por shqetësimet e Tunisit zyrtar janë shtuar qëkur në vendin fqinj, Libinë janë rritur tensionet dhe shtuar konfliktet e armatosura ndërmjet partive që kanë përkrahjen e ushtrisë dhe atyre që kanë për bazë besimin fetar.

Udhëheqësit botërorë dënuan sulmin dhe shprehën mbështetjen e tyre për përpjekjet e Tunizisë kundër terrorizmit, vend ky që ka bërë ndryshimet më të mëdha nga të gjitha vendet që u përfshinë nga trazirat më 2011.

 

YouTube player