Tubim në kohë të Dacicit

Lista Serbe ka mbajtur tubim parazgjedhor në Graçanicë, gjatë kohës kur Ivica Dacic po e vizitonte këtë komunë. Kandidatët kanë premtuar krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë, por edhe sjelljen e ekipeve të futbollit Crvena Zvezda dhe Partizan.

Lajme

19/10/2013 15:47

Lista “Iniciativa Qytetare Serbe” ka mbajtur një tubim elektoral në Graçanicë.

Të pranishmëve u është drejtuar zyrtari i lartë i kësaj liste, Branimir Stojanovic, i cili njëherësh është edhe kandidat për Kryetar të Graçanicës. Në këtë tubim ka marrë pjesë edhe deputeti në Kuvendin e Serbisë, Zvonimir Stevic.

Përfaqësues të kësaj liste i kanë premtuar të pranishmëve se pas zgjedhjeve “do të largohen të gjithë përfaqësuesit e deritashëm të serbëve të cilët ishin pjesë e qeverisë së Hashim Thaçit”.

Branimir Stojanovic ka thënë se është e domosdoshme që serbët të votojnë për këtë listë për të zgjedhur një të ardhme më të mirë.

“Në rast se ne fitojmë, atëherë do ta krijojmë edhe Bashkësinë e Komunave Serbe në Kosovë”.

Ai i ka premtuar elektoratit se do të sjellë në Graçanicë ekipe serbe të futbollit si Crvena Zvezda, Partizani dhe të tjerë.

Në këtë takim nuk është paraqitur Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, i cili po qëndron sot për vizitë në këtë komunë.

Përfaqësues të “Listës Serbe”, mospraninë e Kryeministrit serb e kanë arsyetuar me faktin se kjo nuk i është lejuar nga ana e Qeverisë së Prishtinës, por kanë deklaruar një ndalesë e tillë nuk do të lejohet as pas zgjedhjeve të 3 nëntorit.