Tsipras: Sanksionet ndaj Rusisë, një rrugë që nuk çon askund

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras tha se qeveria e re e Greqisë nuk është dakord me sanksionet kundër Rusisë, ndërsa shtoi se Greqia dëshiron të shtojë lidhjet tregtare me Moskën.

Bota

31/03/2015 23:17

Tsipras i bëri komentet në prag të një vizite në Moskë javën e ardhshme.

Në një intervistë me agjencinë ruse të lajmeve TASS, Tsipras tha se ai i konsideron sanksionet si një rrugë që nuk të çon askund dhe se embargoja reciproke që Rusia ka vënë ndaj produkteve ushqimore të Bashkimit Evropian e ka dëmtuar seriozisht ekonominë e vendit të tij, raporton VOA.

SHBA-të dhe BE-ja vendosën sanksione ekonomike ndaj Rusisë lidhur me aneksimin prej saj të gadishullit ukrainas të Krimesë dhe mbështetjen për rebelët në Ukrainën lindore. Moska u kundërpërgjigj duke ndaluar importet ushqimore nga Perëndimi, një hap që i ka dëmtuar eksportet bujqësore greke në një kohë kur Greqia përballet me një krizë të thellë financiare.

Që nga zgjedhja në muajin janar, qeveria Tsipras është përpjekur për marrëdhënie të ngrohta me Rusinë, dhe ka kritikuar qeveritë e kaluara greke për ndjekjen e politikave të BE-së kundrejt Moskës.