Tsipras imponon agjendën e BE-së për Greqinë!

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, ia ka arritur qëllimin. Ai do të ketë më shumë kohë që në Samitin e Bashkimit Evropian që mbahet të enjten dhe të premten, të flasë për borxhet dhe krizën e buxhetit në Greqi.

Bota

19/03/2015 14:21

Të hënën e kaluar kryetari i radhës i Këshillit të Evropës, Donald Tusk, e kishte hedhur poshtë mundësinë e rishikimit të zhvillimeve në Greqi. Por pas bisedimeve të shumta telefonike mes Tsipras, Tusk dhe presidentit të Komisionit të BE, Jean-Claude Juncker, do të mund të ketë madje edhe një takim të veçantë në kuadër të Samitit të BE-së.

Deutsche Welle citon burime diplomatike greke, në këtë takim do të jenë Tsipras, presidenti i Francës, Francois Hollande, kancelarja Angela Merkel, shefi i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi dhe Jean-Claude Juncker.

Ministri i Jashtëm i Letonisë, Edgars Rinkevicius, i cili ka kryesinë e radhës së Këshillit të Ministrave të BE, nuk ishte në gjendje të konfirmojë këto të dhëna. “Momentalisht nuk e di nëse do të ketë takim të këtij formati të enjten pasdite, sepse varet nga presidentët dhe kryeministrat”.