Tsipras: Duam një marrëveshje që na respekton

Qeveria greke kërkon një “kompromis të respektueshëm” me partnerët evropianë.

Bota

30/03/2015 23:45

Kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras ka theksuar se kabineti i tij nuk do të kapitulojë. Ai është shprehur i bindur se plani grek i reformave do të pranohet nga kreditorët ndërkombëtarë. Por, nga ana tjetër, Brukseli duket se nuk është ende i kënaqur.

“Dialogu mes palës greke dhe Grupit të Brukselit po vazhdon në mënyrë konstruktive, por ende nuk jemi aty ku duhet dhe duhet ende punë nga ana e Athinës”, ka deklaruar zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Grekët nuk e kanë dërguar ende listën me reformat që i kërkon Brukseli, por i kanë qarkulluar propozimet e tyre në “copa letre”, që të vëna së bashku mbulojnë pak a shumë të gjithë parametrat e kërkuar, raporton TCH.

“Nuk ka asnjë listë, lista do të vijë vetëm në përfundim të negociatave mes grekëve dhe Brukselit. Bëhej fjalë vetëm për disa copa letre që kanë qarkulluar duke përmbajtur parametrat e kërkuar, por jo kërkesat mbi aplikimin dhe efektin e tyre”, ka shtuar zëdhënësi i Komisionit Evropian.

Ndërkohë, nga Berlini deklarojnë se janë në pritje të reformave. “Po presim që Athina të plotësojë listën e propozimeve që ia vlen të diskutohen dhe që mund të jenë baza e negociatave me eurozonën”, ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Martin Jaeger.

“Topi është në fushën e grekëve. Shpresojmë që lista të prezantohet sa më shpejt të jetë e mundur”, ka shtuar zëdhënësi, i cituar nga agjencia ekonomike e lajmeve Bloomberg.