Tryeza përfundimtare e LDK-së nuk gjen përkrahje nga partitë politike

Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se së shpejti do të organizojë një tryezë përfundimtare për arritjen e konsensusit politik për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

Lajme

03/07/2018 15:45

Gjatë ditës së djeshme, ishte shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ai që përmes një postimi në Facebook e bëri të ditur një gjë të tillë, shkruan lajmi.net.

“Tryeza përfundimtare e partive politike do të thirret së shpejti nga LDK-a për të përmbyllur konsultimet me forcat politike në vend”, shkroi dje Hoti.

Mirëpo, ky insistim i LDK-së nuk është se po gjen përkrahjen e spektrit politik, të cilët mendojnë se shkuarja në zgjedhje të parakohshme, nuk është ajo se çfarë i duhet Kosovës.

Ishte shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ai që para disa ditësh tha për lajmi.net se deklaratat të cilat bëjnë thirrje për zgjedhje të parakohshme, janë deklarime politike për konsum ditor.

“E kemi thënë shumë herë deri më tash që nuk ka zgjedhje të parakohshme. Çfarëdo deklarate tjetër është vetëm deklarim politik për konsum ditor”, kishte thënë Krasniqi për lajmi.net.

Edhe AAK-ja, si parti e koalicionit qeverisës është shprehur kundër iniciativave të opozitës për caktim të datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Deputeti i këtij subjekti, Muharrem Nitaj, kishte thënë për lajmi.net se tema e zgjedhjeve nuk duhet të jetë temë diskutimi e këtyre tryezave, pasi siç thotë ai  kjo temë është e kryer.

E as AKR-ja e Behgjet Pacollit nuk e përkrah këtë iniciativë të LDK-së.

Madje, sekretari i kësaj partie, Vesel Makolli, tha sot për lajmi.net se tryezat që mbahen për caktimin e datës së zgjedhjeve shkojnë në dëm të Kosovës.

Ai tutje u shpreh se as vetë inicuesi i kësaj kërkese, LDK-ja, nuk është pro zgjedhjeve.

“Nuk mund të kuptohen këto parti, po as LDK-ja që në këtë rast nuk është duke vepruar mirë, në qoftë se i kanë votat atëherë le të rrëzojnë qeverinë atëherë jo me këto forma”, u shpreh Makolli.

Veseli cilëson se këto insistime nga partië po bëhen me qëllim të përfitimit të poenave politik.

“Dorën në zemër këta as vet nuk janë për zgjedhje, në tryezën e parë ata nuk kanë qenë ekskluzivisht për zgjedhje, ata nuk kanë insistuar për këtë çështje, ata së pari i kanë problemet e veta, asnjë parti nuk është për zgjedhje, por këto po bëjnë për poena politik për të përgatit terrenin për zgjedhje të tjera”, shtoi më tutje Makolli.

Makolli i cili ka përfaqësuar AKR-në në shumicën e këtyre tryezave tha se energjia dhe e gjithë vëmendja duhet të shpenzohet në platformat për dialogun me Serbinë e jo për tema të këtij lloji.

E nëse kjo tryezë përfundimtare nuk e arrin konsensusin e kërkuar, sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri, në një prononcim dje për lajmi.net paralajmëroi se partia e tij do të fillojë veprime konkrete qysh në shtator në fillim të punimeve të sesionit të ri të Kuvendit./Lajmi.net/