Tryeza e Rrumbullakët kosovare

Kosovës i duhet shumë më tepër durim, mençuri, maturi, pragmatizëm, se sa që ka tash. Kosovës i duhet patjetër një dialog i pakushtëzuar politik.

Opinion

14/01/2016 14:36

A ka mbetë gjë pa u thënë, për të mbrapsht dhe për të keq, të kuptohemi, në këtë politikën kosovare, në muajtë e fundit, apo që prej vjeshtës së vitit të kaluar?

Në fuqi është pafuqia. Ligj është bërë zhëbërja e çdo ligji. Rregull është bërë prishja e çdo rregulli. Komunikimi publik në politikën kosovare, shquhet me një mosdurim të skajshëm, që tash e disa javë, ka marrë trajtën e urrejtjes. Nuk ka në këtë vend, kohëve të fundit, ‘prodhimtari’ më të suksesshme se kjo e urrejtjes politike.

Nuk ka dhe nuk mund të ketë dobi as gjë të mirë prej një diskursi të tillë politik, i cili krijon hendek të madh në këtë politikën tonë, dhe punon ditë e natë në thellimin e greminës e cila mund të përbijë gjithë një popull, gjithë një vend, çfarë është Kosova.

Tek e mbrama, a nuk nisi ditëve të fundit të flitet edhe për kërcënimin a rrezikun e ‘Luftës qytetare’ në Kosovë?

Qoftë edhe nëse e tëra është një teprim i radhës, një skajshmëri tjetër në periudhën e ekstremeve politike e cila po e ngulfatë këtë shtet, vet përmendja e një ‘Lufte qytetare’, vet rikujtimi i një përsëritje të vitit 1997-të të Shqipërisë në Kosovë, tregon se këtu ndër ne, kanë rënë a janë prishur, thuaja të gjitha ‘siguresat’ e të folurit publik, dhe që jemi në gjendje, fare lehtë, të kalojmë prej një qasje politike në atë që mëdyshë politikën dhe shtetin si të tillë.

Rritja dramatike a marramendëse e urrejtjes në politikën kosovare, puna pa orar në krijimin e rrethanave të armiqësisë si relacion themelor politik tek ne, ka bërë që të ketë dallime tepër të mëdha, shumë të rrezikshme, në politikën vendore, kur interpretohen dukuritë elementare shoqërore dhe politike në Kosovë. Ta zëmë, mund të diskutohet dhe të debatohet për shumëçka në Kosovë, por nuk ka si të flitet a të vihet në shqyrtim tema e dhunës si mjet politik, apo, e dhunës si kategori e veçantë e garës së rëndomtë për ndikim politik dhe për marrjen dhe humbjen e pushtetit në një vend. Dyzimi i dhunës dhe politikës nuk mund kurrë të prodhojë një politikë të qëndrueshme, nuk mund dot të mundësojë që ndryshimet politike në një vend, të bëhen me rend dhe me rregull, me Ligje dhe me Kushtetutë. Pos natyrisht, nëse dhuna mëton ta ndryshojë thelbësisht rendin shoqëror dhe kushtetues, natyrën themelore të një shteti.

Kjo temë është ndër më të diturat, më të thjeshtat në një abetare të demokracisë, kudo në Botë, ashtu edhe në Kosovë.

Kemi ardhë në një situatë kur madje flitet për mundësinë e angazhimit të Emisarëve Specialë ndërkombëtarë për zgjidhjen e gjendjes së rëndë dhe të mundimshme në politikën kosovare, e cila po i ulë edhe më shumë ato rezervat e shpresës tek qytetarët e rëndomtë kosovarë, të cilët me gjasë, po të kishin mundësi, në një numër shumë më të madh se në dimrin e vitit të kaluar do t’ia mësynin Perëndimit, në kërkim të strehimit politik, në largim e sipër prej shtetit të vet.

Emrat e Ndërmjetësueve ndërkombëtarë që kanë nisur të lakohen ditëve të fundit, janë po të njejtit ata që vite më parë janë angazhuar, ose kanë qenë të përmendur si kandidatë për ta ndihmuar Kosovën në adresimin dhe zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës.

Çfarë paradoksi. Atëherë, këta politikanë dhe diplomatë ishin të thirrur për ta zbardhë fatin e Kosovës, e tani, ata do të duhej të na ndalin në këtë mësymjen për ta prishë këtë fat.

Në rrethanat e këtilla çfarë janë sot në Kosovë, nuk duket që ka solucion të thjeshtë, apo që me një ‘shkop magjik’ mund të kthehet normaliteti në vend. Besimi që organizimi i shpejtë i zgjedhjeve të reja, të jashtëzakonshme, mund të jetë alternativa më e mirë dhe më dobiprurëse, nuk mund ta kalojë as ‘stres testet’ më të thjeshta. Nëse shkojmë në atë udhë, do të jetë tepër vonë pastaj me marrë vesh me çka do të ballafaqohemi si shoqëri dhe si vend.

Kosovës i duhet shumë më tepër durim, mençuri, maturi, pragmatizëm, se sa që ka tash.

Kosovës i duhet domosdoshmërisht një dialog i pakushtëzuar politik, një Tryezë e Rrumbullakët, me pjesëmarrjen e të gjithë faktorëve relevant politik, i cili do t’i trajtonte të gjitha temat politike të këtij vendi.

Kjo Tryezë pastaj do të mund të siguronte dhe përkrahjen, madje edhe garancat ndërkombëtare për zbatimin e Marrëveshjeve që do të mund të mbërriheshin në këtë Tryezë.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)