Trusti ‘rrezikon’ milionat e pensioneve

Sikur presidenti amerikan, Barack Obama, të mos e nënshkruante një paketë financiare, për mbështetje të ekonomisë amerikane pas krizës financiare të 2008-s, atëherë, do të rrezikohej pjesa më e madhe e parave të pensioneve të kosovarëve.

Lajme

19/09/2017 13:34

Trusti menaxhon me mbi një miliardë euro, pjesën më të madhe të te cilave e investon në instrumente financiare jashtë vendit, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj çdo lëkundje e ekonomisë atje reflekton në përformancen e Trustit.

Njohësi i ekonomisë Florin Aliu dhe doktorantë në Çeki mbi matjen e përformancës së kompanive, ka disa vite që është marr me tregjet financiare, si dhe me investimet e Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Aliu në punimet e tij mbi strukturën e investimeve të Trustit dhe në bazë të dhënave të siguruara, ka vërejtur se këtij institucioni i mungon një analizë për matjen e rrezikut për mjetet e investuara. Ndërkohë kjo analizë është mëse e nevojshme, aq më tepër kur dihet se Trusti menaxhon me 1.4 miliardë euro.

Sipas Aliut, një analizë si kjo përveç që do t’i analizonte instrumentet financiare përmes të cilave Trusti i investon mjetet e saj, do të duhej ta bënte edhe një matje të ekonomisë së vendit amë.

Gazeta Fjala e ka kërkuar një analizë të tillë nga Zyra për Informim në Trust, por askush nuk është përgjigjur edhe pas një javë pritjeje. Analizë mbi matjen e rrezikut për mjetet e investuara nuk ka as në raportet vjetore të Trustit, e as në ueb faqen zyrtare të saj.

Rreziqet me të cilat përballen investimet e Trustit

Aliu ka thënë se në përgjithësi Trusti Pensional ballafaqohet me dy lloje rreziqesh.

“Rrezikun e jashtëm (sistematik) dhe rrezikun e brendshëm (josistematik). Trusti mundet me e kontrollu vetëm rrezikun  josistematik, pasi që varet nga aftësitë menaxhuese”, thotë Aliu.

Ndërkaq rreziku i jashtëm, pra investimet në tregje financiare, janë pjesa më komplekse e ekonomisë, pasi, sipas Aliut, tregjet financiare reflektojnë problemet e ekonomisë dhe të kompanive në baza ditore. Andaj mbrojtja dhe parandalimi i goditjeve të mëdha në Trustet pensionale vjen si rezultat i njohjes së tregjeve financiare dhe jo vetëm.

“George Soros ka falimentuar bankën e Anglisë brenda tri ditëve, për shkak të njohjeve mbi lëvizjet e tregjeve financiare dhe marrëdhëniet politike në mes vendeve të Bashkimit Evropian. Njerëzit që merren me investime në instrumente financiare dhe menaxhimin e tyre, janë specie të veçanta. Shumë njerëz jetojnë nga iluzioni i fitimeve të shpejta dhe tregun financiar e shohin si një mundësi të tillë. Tregu financiar është pjesa më e sofistikuar e sistemit ekonomikë dhe nuk ka hapësirë për njerëz amatorë”.

Aliu në analizat e tij mbi investimet e Trustit ka vërejtur edhe një mangësi tjetër.

Trusti Pensional e bënë shpërndarjen e parave të grumbulluara në disa “AssetManager” dhe në lloje të ndryshme të instrumenteve financiare.

Sipas Aliut, teoria bazë mbi investimet financiare tregon se është e rrezikshme ti investosh të gjitha parat në një instrument financiarë. Mirëpo kjo nuk është e mjaftueshme nëse kthimet e investimeve lëvizin në të nijetin drejtim, do të thotë nëse instrumentet financiare janë shumë të lidhura mes vete.

“Personalisht nuk kamë parë që Trusti Pensional i Kosovës ka raporte për nivelin e rrezikshmërisë”, thotë Aliu.

Sipas tij, nuk është e mjaftueshme të shohim vetëm kthimin nga investimet por edhe rrezikun e portofolios së Trustit.

“Do të ishte mirë të shohim Trustin Pensional të Kosovës në raport më fondet tjera pensionale sa i përket kthimit dhe rrezikut. Sepse kthimet e Trustit Pensional varen nga performanca e vendeve dhe kompanive ku janë investuara këto mjete. Ndërsa eliminimi ose zvogëlimi i rrezikut jo-sistematik varet drejtpërdrejt nga menaxhmenti i Trustit Pensional”, ka thënë Aliu. /Gazeta Fjala