Trusti në vitin 2017 realizoi fitim prej 110 milionë euro

Drejtuesit e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës vlerësuan vitin 2017 si vit rekord në realizimin e fitimeve.

Lajme

21/12/2017 12:20

Ymer Havolli, kryesues i bordit, tha se Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, ka shënuar rekord në realizimin e fitimit në vlerë prej 110 milionë euro këtë vit, raporton Ekonomia Online.

“Ajo që e karakterizon këtë vit është se fondi ka realizuar një fitim 110 milionë euro kthim bruto nga investimet që janë bërë në tregje. Ky është një kthim i nivelit rekord që nga themelimi i këtij institucioni. Kjo rritje është rezultat i një zhvillimin të përgjithshëm i zhvillimit të tregjeve ndërkombëtare”, tha ai.

Havolli shtoi se gjatë këtij viti fondi ka njohur rritje të mjeteve në menaxhim dhe se numri i kontribuuesve që kanë llogari është ngritur në 47.607 kontribuues të rijnë.

“Numri i kontribuuesve që kanë llogari në FKPK u ngrit në masë të konsiderueshme për këtë periudhë me 47.607 kontribuues të rijnë që hunë në skemë, duke bërë që numri i llogarimbajtësve në FKPK të arrijë në 589.540 milionë”, u shpreh ai.

Ai foli edhe për investimet në Kosovë u rrit nga rreth 99 milionë euro në fund të vitit 2016 në rreth 142 milionë euro deri me datë 14 dhjetorë.

“Shuma e investimeve në Kosovë u rrit nga rreth 99 milionë euro në fund të vitit 2016 në rreth 142 milionë euro deri me datë 14 dhjetorë 2017. Shtimi i investimeve në Kosovë erdhi për shkak të rritjes së mjeteve te depozituara në bankat vendëse”, shtoi Havolli.