Trusti në gjashtëmujorin e parë, 13.2 milionë euro më pak nga investimet

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, apo i njohur si Trusti, menaxhon me 1 miliard e 691.2 milionë euro, ndërsa në periudhën janar-qershor 2018, ka pasur përformancë negative të investimeve. Në këtë përudhë Trusti ka pasur rënie të fitimeve për 13.2 milionë euro.

Lajme

06/10/2018 08:12

Banka Qendrore e Kosovës (BQK), në raportin e saj, Sistemi Financiar, informata mujore, për gusht 2018, ka konfirmuar se investimet e Trustit në tregjet ndërkombëtare kanë pasur përformancë negative. “Kthimi në investim në periudhën janar-qershor, kanë qenë me minus 13.2 milionë euro”, thekson raporti i BQK-së.

Në Trust kanë thënë se ndikimet kanë qenë për shkak të lëvizjeve negative në tremujorin e parë në SHBA.

“I gjithë ndikimi në performancën e investimeve deri në fund të qershorit erdhi për shkak të lëvizjeve negative në tremujorin e parë. Kjo erdhi për shkak se pati një rritje të theksuar të luhatshmërisë, i ndikuar kryesisht nga rritja e normave të interesit dhe fuqizimit të sanksioneve tregtare të SHBA-ve ndaj eksporteve të Kinës. Jehona e këtyre lëvizjeve në SHBA u reflektua edhe në zonat e tjera kryesore financiare, BE e Japoni, që po ashtu e mbyllen tremujorin me performancë negative”, tha zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi, për Telegrafin.

E, në periudhën korrik-shtator të vitit 2018, humbjet e periudhës paraprake janë rikuperuar.

“Pra kthimi i investimeve të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, për periudhën 1 janar deri më 2 tetor, ka kthim bruto nga investimet prej 22.4 milionë euro”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi.

Ai ka sqaruar se lëvizjet e çmimit të aksionit në tremujorin e parë nuk kanë ndikim negativ tek kontribut-dhënësit.

Ndërkaq profesori i Fakultetit Ekonomik në UP, Berim Ramosaj ka thënë për Telegrafin, se përkundër asaj që paratë e Trustit janë të investuara në kompani që nuk kanë rreziqe të mëdha, tregu i letrave me vlerë dhe i aksioneve mund të tronditet.

“Drejtuesit e Trustit janë munduar që t’i investojnë paratë në kompani që nuk kanë rreziqe të mëdha, tregjet e letrave me vlerë e të aksioneve është i tronditur, sidomos pas  rënies së lirës turke”, tha ai.

Ramosaj ka thënë përkundër performancës jo të mirë në investime në përudhën janar-qershor, humbje nuk ka.