Trupat Peshmerga futen në Kobane, pritet betejë e ashpër për qytetin

Rreth 150 luftëtarë kurdë të Irakut, të njohur si Peshmerga, janë futur të mërkurën në rrugë tokësore nga Turqia në qytetin sirian Kobane, i cili ndodhet vetëm 200 metra larg kufirit turko-sirian.

Bota

29/10/2014 13:38

Dhe në kohën kur po bëhej lajmi i ditur nga agjencitë botërore, përveç Njësitit Peshmerga, luftëtarëve kurdë në Kobane u kanë shkuar në ndihmë edhe 200 luftëtarë të tjerë të Ushtrisë së Lirë Siriane.

Beteja e filluar prej 45 ditësh e forcave kurde të ndihmuara me sulmet ajrore amerikane kundër  militantëve të “Shtetit Islamik të Sirisë dhe Irakut” (ISIS) për qytetin sirian të banuar me kurdë, pritet të ashpërsohet brenda pak orësh.

Sipas BBC-së, kurdët sirianë të rrethuar prej gjashtë javësh nga militantët e ISIS-it, të cilët në muajin korrik shpallën kalifatin e tyre në tokat e pushtuara në Siri dhe Irak, të quajtur “Shteti Islamik”, kanë mirëpritur lajmin e futjes së forcave Peshmerga, me shpresë së brenda pak ditësh do t’i jepet fund okupimit të 40 për qind të qytetit nga ana e militantëve sunitë të ISIS-it.

Rreth 160 mijë kurdë nga ky qytet dhe rrethina e tij tashmë janë refugjatë në Turqi, shtet ky i cili ishte nën presion të vazhdueshëm edhe të kurdëve vendas për të lëvizur tanket dhe ushtrinë që vëzhgojnë luftën nga kufiri, derisa 20 mijë civilë të tjerë të bllokuar ishin në rrezik nga ndonjë masakër.

Militantët e “Shtetit Islamik” që prej muajit korrik kanë vrarë rreth dhjetë mijë civilë (të krishterë dhe shiitë).

Sulmet ajrore amerikane vazhdojnë të dobësojnë ofensivat e këtij shteti, porse sipas autoriteteve në Uashington, lufta mund të zgjat me muaj e vite, nëse militantët nuk luftohen me seriozitet nga vendet ku ky grup e ka krijuar kalifatin.