Trump thotë se Rusia duhet të rikthehet në G7

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se G7-ta, apo grupi i vendeve më të industrializuara, "duhet ta lejojë Rusinë të kthehet në këtë grup elitar", katër vjet pas përjashtimit të saj, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë.

Bota

08/06/2018 19:08

Ai i bëri këto komente përpara nisjes së samitit treditor të G7-ës në Kanada.

“Ne takohemi pa Rusinë. Ata duhet ta lejojnë Rusinë, sepse duhet ta kemi atë në tryezën negociuese”, tha Trump.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u përgjigj, duke thënë se Rusia “po e përqendron vëmendjen e saj në formate të tjera, jashtë G7-ës”.

Kanadaja tha se kundërshtimi i saj për ripranimin e Rusisë “nuk ka ndryshuar”, ndërsa një zëdhënës i Qeverisë italiane tha se Roma pajtohet me Trumpin se Rusia duhet të jetë në grup.

G7-ta përbëhet nga Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Britania.