Trump thotë se i janë keqinterpretuar komentet për migrantët

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se është “keqinterpretuar plotësisht” nga ata që thonë se ai ka përdorur termin “ndyrësirë” për t’i përshkruar vendet afrikane.

Bota

16/01/2018 07:40

Trump po ashtu tha se akuzat i dëmtojnë përpjekjet për të arritur marrëveshje për të ashtuquajturin program DACA, i cili u jep mbrojtje ligjore imigrantëve të rinj në SHBA.

DACA daton nga koha e ish-presidentit Barack Obama, por administrata Trump ka thënë se do ta shfuqizojë atë.

Ligjvënësve në Kongres u është dhënë kohë deri në mars të vendosin për fatin e rreth 800,000 njerëzve që preken nga programi DACA.

“Marrëveshjet nuk mund të bëhen kur nuk ka besim”, tha presidenti Trump.

Mediat amerikane kanë raportuar se Trump i ka cilësuar vendet në Afrikë dhe Haitin e El Salvadorin si “ndyrësira” në një takim për migrantët në Shtëpinë e Bardhë, më 10 janar.

Senatori demokrat, Dick Durbin, i cili ka qenë i pranishëm në atë takim, ka thënë se Trump e ka përdorur fjalën ndyrësirë disa herë.

Trump ka nxitur kritika gjithandej dhe disa e kanë akuzuar atë për “racizëm”. Presidenti është përgjigjur duke thënë se nuk është racist.