Trump si armik i armikut – Lajmi.net
Trump si armik i armikut
Autori: Fatos Lubonja Op-EdOpinion 20:33, 27 January 2017
Fatos Lubonja
Fatos Lubonja
Partitë politike dhe mbështetësit e tyre mediatikë në Shqipëri e kanë pritur fitoren e Trump-it ndryshe nga ç’kanë pritur zgjedhje të tjera presidenciale në SHBA. Më parë, të dyja palët, me gjithë diferencat, kanë përshëndetur edhe fitoren e një demokrati, edhe atë të një republikani, kurse kësaj here opozita duket mjaft më e ekzaltuar, kurse maxhoranca mjaft më e heshtur.

Kjo vjen kryesisht për arsyen se establishmenti amerikan dhe veçanërisht Ambasada Amerikane me Donald Lu janë identifikuar së fundmi fort si mbështetës të qeverisë shqiptare të Edi Ramës. Si pasojë, kush është në opozitë dhe vazhdon të besojë se fatet e pushtetit në Shqipëri vendosen nga të huajt, veçanërisht SHBA, sot ka shpresë se me ndryshimin e këtij establishmenti dhe ikjen e këtij ambasadori, mbështetja për këtë qeveri të korruptuar do të zhduket. Një qasje e tillë lidhet edhe me sulmet e opozitës ndaj miliarderit Soros, sponsorit kryesor të Clinton-it dhe njëherësh mbështetës i njohur i klanit Rama.

Do të thosha se logjika e këtij entuziazmi opozitar mbështetet më së shumti në atë thënien e vjetër “armiku i armikut tim është miku im”, kombinuar edhe me mendësinë enveriste që gjithmonë e gjente të keqen te bashkëpunimi i armikut të jashtëm me atë të brendshëm, që janë ndër faktorët kryesorë kulturorë që na kanë lënë në mjerimin ku jemi.

PROBLEMATIKA E FITORES SË TRUMP-IT

Kush e ka ndjekur fjalimin e Trump-it ditën e betimit, nuk mund të mos dallonte shtyllën kryesore të politikës së tij të ardhshme: “America first” (Amerika para së gjithash). Gjatë gjithë fjalimit, lakimi i këtij togfjalëshi nuk na dha vizionin e një Amerike si violinë e parë e një orkestre që do të vazhdojë të luajë simfoninë e bashkëpunimit me aleatët europianë, por të një Amerike që kërkon të luajë solo, madje në kompeticion me të tjerët, madje, madje edhe duke fajësuar të tjerët se ata janë shkaktarët kryesorë të rënies amerikane, veçanërisht të varfërimit të shtresës së mesme.

Gjithashtu, po të vesh re, fjalimi i Trumpit në vende aleate europiane si Franca, Italia, Gjermania, u mirëprit nga partitë e ekstremit të djathtë antiestablishment pikërisht pasi këto parti kanë në projektin e tyre kthimin e vendimmarrjes në duart e shteteve të tyre kombe, duke ia hequr atë Brukselit, madje dhe kthimin në monedhën e tyre kombëtare, sikurse edhe mbylljen e kufijve ndaj emigrantëve.

Pyetja e parë që duhet të shtrojnë partitë tona opozitare, duke parë këto zhvillime është: a kemi ne në programin tonë një premtim të tillë për Shqipërinë, të daljes nga projekti europian dhe, a do të ishte më mirë për Shqipërinë një program i tillë? Çuditërisht dhe joçuditërisht, ato nuk e ngritën fare këtë pyetje. U mjaftuan me faktin që Trump-i është armiku i armikut të tyre.

* * *

Pa dyshim kjo situatë krize është krijuar në Perëndim për shkak se i ashtuquajturi bashkëpunim nën emrin e globalizimit dhe liberizmit ka sjellë pasurimin e një grupi gjithnjë e më të vogël njerëzish në dëm të shumicës. Pa dyshim, ai që quhet “establishment”, si në SHBA, edhe në Europë, është përgjegjës për këtë krizë. Si nevojë e daljes nga kriza, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish në Europë ka gjetur fajtorin tek establishmenti dhe shpëtimin te kthimi në sovranitetin kombëtar, thuaj po deshe edhe solidariteti kombëtar. Partitë që i përfaqësojnë ata në Europë kërkojnë shpërbërjen e perandorisë euroatlantike, që u krijua pas Luftës së Dytë dhe shkatërrimin e projektit të Bashkimit Europian. Ata kanë hedhur parullën që popujt duhet të rifitojnë lirinë nga zgjedha e Brukselit. Nuk mund mos të të vijë ndërmend shpërbërja e Perandorisë Austro-Hungareze, e cila etiketohej nga lëvizjet nacionaliste të shek. XIX si “burg i popujve”. Në këtë kontekst, Trump-i nuk ngurroi që, në ditën e betimit, të deklaronte në prani të pesë ish-presidentëve, se po fillonte një epokë e re historike, ku pushteti zhvendosej nga Uashingtoni te populli. Është një parullë e bukur, por që e kemi parë të prononcohet nga shumë diktatorë gjatë shekullit XX.

* * *

Opinionet ndahen për sa i përket asaj se sa projekti i rikthimit në sovranitetin kombëtar, nëse realizohet, do të mund t’u sjellë të mira vendeve që po e promovojnë. Ky shkrim nuk i dedikohet kësaj teme. Këtu dua ta shoh këtë projekt në raport me projektet e partive tona dhe më gjerë, me pasojat që mund të ketë realizimi i tij për ne.

S’është vështirë të kuptohet se në rrafshin ndërkombëtar Trump-i premtoi kthimin e supremacisë së zbehur amerikane ndaj të tjerëve. Në rrafshin kombëtar do të konstatosh se ai është mbështetur fort nga amerikanët e bardhë, që në një Amerikë të përmbytur nga emigrimi i të gjitha racave dhe popujve, e të tradhtuar nga të bardhët liberistë dhe globaliste, janë ndierë gjithnjë e më të frustruar e kërkojnë rimarrjen e pushtetit të humbur. Ndërkaq, terma të tilla si bashkëpunimi apo solidariteti, qoftë edhe për sa u përket rreziqeve të përbashkëta si ato të ndotjes së planetit, nuk u dëgjuan fort në fjalimin e tij. Edhe në Europë, partitë e djathta i mëshojnë më së shumti egoizmit kombëtar, supremacisë së më të fortit dhe më të suksesshmit, jo solidaritetit apo bashkëpunimit.

Problemi për ne është se, nëse do të përpiqemi t’i gjejmë një vend vetes në një Europë që e ndan botën në shtete më të forta dhe shtete më të dobëta, në popuj superiorë dhe inferiorë, nuk do të duhej assesi ta duartrokisnim këtë politikë. Sepse, pavarësisht retorikëve lavdimadhe me të cilat na ka ushqyer ideologjia nacional – komuniste e Hoxhës dhe që i kemi ruajtur në diskurset brenda vendit, historia jonë tregon se jemi ndër ato vende europiane që kanë dëshpërimisht nevojë për solidaritetin e mbështetjen e vendeve të tjera. Kjo vërtetohet edhe me faktin se, me gjithë vetëmburrjen e ekzagjeruar, paradoksalisht, gjithmonë kemi ekzaltuar “vëllamin e madh” që na mbështet. Veçanërisht klasa politike që kemi sot, që aplikon politikën “ne vjedhim shqiptarët, ju na mbështesni të rrimë në pushtet” s’do të dinte as se si të sillej po t’i thuhej: tani s’të mbështes më, as do të merrem më me ty, merri të gjitha përgjegjësitë vetë. Madje, kemi vendosur të mbyllim edhe kufijtë tanë për shqiptarët e vjedhur.

Duke e parë klasën tonë politike si përfaqësuesen më të denjë të popullit, do të thosha se një fitore e projektit Trump do të ishte për shqiptarët sikur të na hiqeshin më në fund patericat me të cilat kemi ecur këtë çerekshekulli. Pyetja që duhet të shtrojmë është: a mund të na ndihmojë kjo që, më në fund, të mësojmë të ecim vetë, apo do të rrëzohemi e do të thyejmë qafën?

Do të ishte mirë që partitë tona opozitare të thelloheshin në këtë problematikë. Kurse të reagosh, sikurse reaguan ato, është njëlloj sikur brenda ekuipazhit të një anijeje të bëhet luftë se kush do të marrë drejtimin e saj dhe askush të mos shohë se, ndërkaq, anija është duke shkuar drejt theqafjes.

Fjalët kyçe: Donald Trump, fatos lubonja

Fotolajm

Trudeau ndihmon një të ri me karrocë (Foto)
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Bow Master Japan
  • Play Urban Basketball
  • Play Turbo Racing 3
  • Play Supercar Showdown