Trump: Putini ndien se s’ka ndërhyrë në zgjedhjet tona

Presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë një serie të postimeve në rrjetin Twitter gjatë ditës së diel, ka shkruar se duke pasur raporte pozitive me Rusinë, është “gjë e mirë” dhe se Moska mund të “ndihmojë shumë” për zgjidhjen e krizave në Ukrainë, Korenë Veriore dhe Siri, dhe po ashtu, në luftën kundër terrorizmit global.

Bota

12/11/2017 15:23

Gjatë qëndrimit të dielën në Hanoj të Vietnamit, në kuadër të turneut të tij nëpër Azi, në një konferencë për shtyp, ai i ka aktualizuar sanksionet kundër Rusisë, duke thënë se Moska është nën “sanksione shumë të rënda” dhe se “tash është koha që t’i kthehemi shërimit të botës, që është e shpartalluar dhe e thyer”.

Shtetet e Bashkuara kanë imponuar sanksione kundër Rusisë, për përzierjen e dyshuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar.

Por, presidenti Trump theksoi se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, “ndien se ai nuk ka ndërhyrë në zgjedhjet tona”.

“Besoj se presidenti Putin me të vërtetë ndien – dhe ai ndien fuqishëm – se ai nuk është përzier në zgjedhjet tona”, tha presidenti Donald Trump, gjatë konferencës së të përbashkët për shtyp në Hanoj, me presidentin e Vietnamit, Tran Dai Quang.

Në përgjigje ndaj komenteve të presidentit Trump lidhur me përzierjen ruse në zgjedhje, anëtari i Senatit të Shteteve të Bashkuara, Ben Cardin, që është njëri prej kritikëve më të ashpër të Rusisë, e ka dhënë një deklaratë ku theksohet se “refuzimi i fakteve është shqetësues”.

“Presidenti Trump i beson ish-agjentit të KGB-së ndaj 17 agjencive të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara. Kjo është shokuese”, tha demokrati Ben Cardin, anëtar i Komitetit të raporteve të jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara.

Senatori republikan, John McCain, po ashtu, shpeshherë kritik i ashpër i presidentit, e ka publikuar një deklaratë duke thënë se “nuk ka asgjë me Amerikën së pari, kur merren fjalët e kolonelit të KGB-së mbi ato të komunitetit të inteligjencës amerikane”.

Lidhur me çështjen e përzierjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane, Trump theksoi se u beson agjencive të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara për vlerësimin se Rusia ishte përzier në zgjedhje.

Në këtë aspekt, ai theksoi:

“Unë jam me agjencitë tona, veçanërisht derisa ato aktualisht janë kompletuar me udhëheqje. Besoj në agjencitë tona të inteligjencës. Kam punuar me to shumë fuqishëm”, tha Trump në Hanoj.

Ai theksoi se ajo që ai ka thënë më herët ishte se besonte se Putini ishte i sinqertë në refuzimin e tij lidhur me zgjedhjet, e jo se ai, Donald Trump, domosdo i beson asaj që e thotë Putin.

“Çka ai beson është ajo që ai beson”, tha Trump.

Po ashtu, Uashingtoni u është bashkuar shteteve të tjera perëndimore në imponimin e sanksioneve kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Trump nuk ka shpjeguar më tutje për komentet e tij lidhur me sanksionet kundër Rusisë ose në mënyrë specifike lidhur me mundësinë e lehtësimit të tyre.

Në komentet e tij në rrjetin Twitter, presidenti amerikan i ka sulmuar “të gjithë urrejtësit dhe budallenjtë”, që e kanë kritikuar përpjekjen e tij për lidhje më të mira me Rusinë dhe veçanërisht me Putinin.

“Kur të gjithë këta urrejtës dhe budallenj do ta kuptojnë se duke pasur marrëdhënie të mira me Rusinë është gjë e mirë, e jo gjë e keqe”, ka shkruar Trump.

“Aty çdoherë ka rol politika dhe kjo është e keqe për vendin tonë. Dëshiroj t’i zgjidhi çështjet për Korenë Veriore, Sirinë; Ukrainën, terrorizmin, dhe Rusia mund të ndihmojë shumë”, theksoi Trump.

Në një postim tjetër në rrjetin Twitter, zoti Trump ka pohuar se rivalja e tij në zgjedhjet e vitit 2016, Hillary Clinton, “e ka lutur Rusinë që të bëhet mik i joni”, kur ajo ishte Sekretare e shtetit, ndërsa ish-presidenti, Barack Obama, po ashtu, ishte përpjekur t’i përmirësonte raportet me Moskën, por “kishin pasur zero raporte me Putinin”.