“Trump përdori Jerusalemin si vegël për politikën e brendshme”

"Trump po përpiqet të marrë mbështetjen e lobit izraelit për shkak të vështirësisë që ka në politikën e brendshme. Trump ideologjikisht ka një qëndrim islamofobik", tha Uysal

Bota

07/12/2017 12:00

 Ekspertët pajtohen me çështjen se vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit është përdorur si vegël e politikës së brendshme.

Duke folur mbi deklaratën e Trumpit për Jerusalemin, ekspertët theksojnë se ndarja në Lindjen e Mesme është efektive si rezultat i marrjes së vendimit.

Profesori në Universitetin Istanbul, Prof. Dr. Ahmet Uysal, në deklaratën e tij për gazetarin e Anadolu Agency (AA) lidhur me vendimin e SHBA-ve për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe zhvendosjen e ambasadës së saj tha se “Trump po përpiqet të marrë mbështetjen e lobit izraelit për shkak të vështirësisë që ka në politikën e brendshme. Trump ideologjikisht ka një qëndrim islamofobik”.

Në vlerësimin e tij Uysal ka bërë të ditur se ndryshimi në Arabinë Saudite, embargoja ndaj Katarit dhe së fundmi shpallja e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit nga SHBA-të është një plan i përgatitur nga dhëndërri i Trumpit, Jared Kushner dhe lobet që ndodhen përreth tij.

“Trump në situatë të vështirë dëshiron të ketë mbështetjen e lobit izraelit”

Ndërsa drejtori i Institutit të Lindjes së Mesme në Universitetin Sakarya, Prof. Dr. Kemal Inat, tha se “Trump para se të zgjidhej kishte premtuar që do të njihte Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Ky është një hap që mund të shpjegohet me motive të brendshme politike”.

“Presidenti amerikan aktualisht po kalon në një periudhë të vështirë ku ai ka nevojë për lobin izraelit. Në SHBA vazhdojnë hetimet kundër atyre në ambientet përreth Trump. Këto hetime pretendohet se do të shtrihen deri tek presidenti Trump dhe ai nuk do të mund ta përfundojë mandatin e tij. Trump në një situatë të tillë kërkon mbështetjen e lobit izraelit”, thotë Inat duke bërë të ditur se Trump ka bërë një premtim të tillë para se të zgjidhej për të marrë mbështetjen e lobit izraelit.

Ai potencoi faktin se Trump po kalon në një periudhë në të cilën ka nevojë për çdo lloj ndihme në politikën e brendshme. “Për këtë arsye Trump nuk ka përllogaritur se çfarë reflektimesh do të ketë ky vendim në Lindjen e Mesme. Ky është një vendim për të tërhequr vëmendjen në Lindjen e Mesme dhe për të marrë mbështetjen e lobit hebre”, është i mendimit Inat.

“Trump synon të përforcojë dhe mbrojë pushtetin e tij politik”

Gjithashtu edhe dekania e Fakultetit të Shkencave Administrative dhe Ekonomisë në Universitetin Bahçeşehir të Qipros, Prof. Dr. Nurşin Ateşoğlu foli mbi vështirësitë me të cilat Trump po përballet në politikën e brendshme. “Trumpit nuk i kishte mbetur më besueshmëri as brenda dhe as jashtë. Por, me hapin për njohjen e Jerusalemit për kryeqytet të Izraelit i cili është premtim parazgjedhor, Trump synon të përforcojë dhe mbrojë pushtetin e tij politik”.

Ajo potencoi situatën e përçarë dhe të fragmentuar në Lindjen e Mesme si arsyen e jashtme për marrjen e vendimit. “Trump për shkak të ndasive në botën muslimane ka menduar se një kohë e tillë është e përshtatshme. Por, presidenti amerikan nuk mendon se çfarë do të ndodhë nesër. Mendoj se ky vendim është afatshkurtër dhe personal”, tha Ateşoğlu.

“Ky vendim përforcoi perceptimin se SHBA nuk është më një shtet i besueshëm”, vlerëson Ateşoğlu duke shtuar se vendimi ka shkaktuar një reagim të ashpër nga bota.

“Trump mund të ketë projektuar se reagimet do të jenë të përkohshme”

Ndërsa Prof. Dr. Mehmet Akif Okur nga Departamenti i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Yıldız Teknik, tha se ndodhitë në politikën e brendshme të SHBA-ve nuk ndaluan pasi Trump u bë president.

“Trump po përjeton periudhën më të vështirë në politikën e brendshme. Ai është në kërkim të një mbështetjeje ndaj tij. Lobi izraelit ka dy kërkesa kryesore. Njëra është çështja e Iranit dhe tjetra Jerusalemi. Deklaratën në lidhje me vendimin për Jerusalemin ai e ka menduar se do të jetë me një kosto më të ulët lidhur me këto dy opsione”, tha Okur.

Sipas tij, si rezultat i luhatjeve dhe konflikteve që ndodhën pas ‘Pranverës Arabe’ në Lindjen e Mesme, në rajon janë formuar fronte të reja. Okur thotë se “Trump mund të ketë projektuar se reagimet do të jenë të përkohshme në lidhje me vendimin e marrë për Jerusalemin”.