Trump, optimist për dialog me Korenë e Veriut

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shprehu optimizëm se hapja diplomatike me Korenë e Veriut, që ka ndodhur këtë javë në bisedimet me Jugun, mund të çojë në dialog më të gjerë për uljen e tensioneve në rajon.

Bota

11/01/2018 09:20

Optimizmi i Trumpit, pas disa muajsh kërcënime për shkak të programit bërthamor të Phenjanit, vjen pasi Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka thënë se mirëpret “mundësitë për ndërtimin e besimit në Gadishullin Korean”, të cilat janë shfaqur këtë javë.

“Kemi pasur shumë probleme me Korenë e Veriut, por shumë bisedime të mira po zhvillohen tani”, tha Trump në një konferencë me gazetarë.

“Shpresoj se ato do të çojnë në sukses për botën, jo vetëm për vendin tonë, por për botën”, shtoi ai.

Lëvizja drejt dialogut ka nisur me një marrëveshje midis Koresë së Veriut dhe asaj të Jugut, më 9 janar, për të rihapur bisedimet midis ushtrive të tyre.

Koreja e Veriut po ashtu ka rënë dakord që të dërgojë një ekip në Lojërat Olimpike Dimërore, që do të mbahen në Korenë e Jugut në muajin shkurt.