Trump niset në udhëtim. Vizitë në Arabinë Saudite, Izrael dhe Vatikan

Donald Trump nisi turin e tij të parë jashtë kufijve, që prej zgjedhjes si president i Shteteve të Bashkuara, duke e lënë Shtëpinë e Bardhë të zhytur në një vorbull kundërthëniesh, të cilat kanë nxitur disa politikanë të bëjnë një krahasim me skandalin “Watergate”, që çoi në rrëzimin e presidentit Richard Nixon.

Bota

19/05/2017 17:18

 

“Ne presim që ta tejkalojmë këtë situatë”, tha Trump për gazetarët. Polemikat përfshijnë përjashtimin e ish-shefit të FBI-së, James Comey, në mes të pretendimeve se presidenti Trump kërkonte që Comey të ndërpresë hetimet ndaj ish-këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, Michael Flynn.

Kreu i administratës amerikane përballet gjithashtu me pikëpyetjet rreth lidhjeve të tij me Rusinë gjatë fushatës presidenciale dhe pretendimeve se i ka zbuluar informacione të fshehta ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, gjatë takimit në Zyrën Ovale.

Vizitat e republikanit jashtë vendit përfshijnë ndalesën në Arabinë Saudite, Izrael dhe Vatikan, vende të shenjta këto për 3 fetë më të mëdha të botës. Në Rijad, Trump, i cili nuk e ka fshehur mosbesimin ndaj myslimanëve, një pjese të të cilëve edhe u përpoq t’ua ndalonte hyrjen në SHBA, do të mbajë fjalim për Islamin përpara një grupi udhëheqësish fetarë.

Në Izrael, ai shkon pas pretendimeve se zyrtarëve rusë u ka përcjellë të dhënat e ofruara nga shërbimet sekrete izraelite. Turi i tij e çon Trump edhe në Vatikan për të takuar Papa Françeskun, e më pas udhëton drejt Brukselit, ku do ta presin anëtarët e NATO-s. Udhëtimi mbyllet në qytetin siçilian Taormina, me pjesëmarrjen në takimin e G7-s.