Trump: Nëse vërtetohet vdekja e gazetarit saudit, pasojat do të jenë të rënda

Kur kanë kaluar 16 ditë nga zhdukja e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, edhe Presidenti amerikan Donald Trump duket i bindur se ai ka vdekur.

Bota

18/10/2018 22:59

“Gazetari i zhdukur saudit Jamal Khashoggi duket se ka vdekur, tha presidenti Trump për gazetarët, duke thënë se do të ketë pasoja “të rënda” për këdo që qëndron pas këtij krimi.

“Është shumë e trishtueshme”, shtoi ai.

Khashoggi u pa për herë të fundit të hyjë në konsullatën saudite në Stamboll të Turqisë dy javë më parë.

Turqia ka akuzuar Arabinë Saudite për dërgimin e një skuadre për të rrëmbyer dhe vrarë gazetarin, ndërkohë që Rijadi e ka mohuar një gjë të tillë.

“Pasojat e mundshme për Arabinë Saudite do të duhet të jenë shumë të rënda,” tha Trump të enjten, përpara nisjes për në Montana.

“Kjo është një gjë e keqe, por do të shohim se çfarë do të ndodhë.”

“Nëse nuk ndodh ndonjë mrekulli e të gjitha mrekullive, do të pranoj se ai është i vdekur”, tha Trump për gazetarët e New York Times brenda Zyrës Ovale.

“Kjo bazohet në informacionet që vinë nga shërbimet inteligjente nga të gjitha anët.”

Trump dërgoi Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo në Arabinë Saudite gjatë kësaj jave për të nxitur Arabinë Saudite të kryejë hetime për zhdukjen e  Khashoggiit mes raportimeve se Turqia kishte prova se ai u vra dhe u copëtua në konsullatë. Asnjë evidencë ende nuk është bërë publike.

Pas marrjes së rezultateve të hetimit, qeveria e SHBA do të bëjë një “deklaratë të fortë”, shtoi Trump.