Trump në adresë të Koresë Veriore: Mos na nënçmoni

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka tërhequr vërejtjen liderit të Koresë Veriore, Kim Jong Un, që të mos e testojë vendosmërinë amerikane, duke i thënë se bota “nuk mund të tolerojë rrezikun e regjimit të papërgjegjshëm, që kërcënon me shkatërrim atomik”.

Bota

08/11/2017 10:47

 Mëtutje, gjatë fjalimit të tij të sotëm në Parlamentin e Koresë Jugore, zoti Trump tha se armatimet atomike, të cilat i zhvillon Pheniani, “nuk ju bëjnë juve më të sigurt, ato e rrezikojnë shumë regjimin tuaj”.

“Mos na nënçmoni neve dhe mos na provoni”, tha Trump në adresë të Koresë Veriore, gjatë fjalimit të tij, ku i ka përdorë shprehjet deri tash më të ashpra kundër Phenianit.

Aktualisht, presidenti Trump, ka arritur në Kinë, që është shteti tjetër që ai e viziton në kuadër të turneut të zgjeruar aziatik, i cili filloi me vizitën në Japoni.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thonë se Trump do të bëjë presion ndaj Pekinit hezitues, për ta rritur trysninë kundër Koresë Veriore, për tërheqje nga ambicjet bërthamore.