Trump kërkon veprim mbarëbotëror kundër Koresë Veriore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi Korenë e Veriut se SHBA është e gatshme të përdorë forcën e plotë ushtarake për të mbrojtur veten dhe aleatët, por shtoi se ai është i përqendruar në përdorimin e "të gjitha mjeteve në dispozicion, pa veprim ushtarak".

Bota

07/11/2017 11:30

“Koreja e Veriut është kërcënim mbarëbotëror që kërkon veprim mbarëbotëror”, tha Trump në një konferencë të përbashkët për media me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, në Seul.

“Nuk mund ta lejojmë Korenë e Veriut të kërcënojë gjithçka që kemi ndërtuar”, tha Trump.

Ai shtoi se Koreja e Veriut duhet të ulet në tryezë dhe të bëjë marrëveshje.

Phenjani, në muajt e fundit, ka testuar disa raketa balistike ndërkontinentale dhe ka kryer provën e gjashtë bërthamore. Ai ka kërcënuar me sulme fqinjët dhe SHBA-në.

“Shpresojmë se nuk do të kemi nevojë të përdorim gjithë kapacitetin ushtarak të SHBA-së”, tha Trump.

Moon tha se ai dhe Trump janë të gatshëm t’i japin Koresë së Veriut një “të ardhme të ndritshme” në qoftë se ky vend heq dorë nga programet e tij bërthamore dhe raketore.