Trump ia rikujton çiftit Clinton akuzat për abuzime seksuale (Video)

Fushata e Donald Trump për postin e presidentit të SHBA-ve është përshkallëzuar në sulme direkte mbi çiftin Clinton.

Bota

23/05/2016 21:00

Kandidati i republikanëve ka postuar një video së fundmi në Instagram, me audio nga intervistat e fundit me disa nga gratë që kanë akuzuar ish-presidentin për sulm seksual dhe përdhunim.

“A po i mbron me të vërtetë Hillary gratë?”, thuhet në tekstin shoqërues të videos.

Videoja fillon me një pamje bardhezi të Shtëpisë së Bardhë dhe me një zë që thotë: “Unë kam qenë shumë nervoz”. Fotoja gradualisht zbehet në një pamje bardhezi, të ish-presidentit duke pirë një puro.

“Gratë nuk duhet të nënshtrohen. Ky ishte një sulm”, dëgjohet një zë tjetër në sfond.

Klipi është marrë nga një intervistë e nëntorit 2007 të Sean Hannity me Kathleen Willey, e cila e akuzoi presidentin për sulm seksual ndaj saj në vitin 1993.

Zëri i fundit i takon Juanita Broaddrick, e cila gjithashtu e ka akuzuar Clintonin për përdhunimin e saj në vitin 1978, të rrëfyer në një intervistë për “NBC” në vitin 1999, kur shprehej se Clinton kishte filluar “t’i kafshonte buzën e sipërme, dhe unë u përpoqa ta shtyja larg”.