Trump i cilëson hetimet e Muellerit “sulm ndaj shtetit”

Agjentët e FBI-së kanë bastisur zyrën e Michael Cohen, avokatit personal të presidentit amerikan, Donald Trump, duke konfiskuar incizime për çështje të ndryshme.

Bota

10/04/2018 08:36

Ky hap ka zemëruar presidentin amerikan.

Duke folur para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka akuzuar FBI-në për aksionin e saj në zyrën e avokatit të presidentit, derisa ka folur edhe për hetimet e këshilltarit special, Robert Mueller për lidhjet eventuale mes Rusisë dhe fushatës së tij.

“Kjo është situatë e turpshme. Përbën totalisht gjueti shtrigash dhe e kam thënë këtë gjë disa hërë”, është shprehur ai.

“Ky është sulm ndaj shtetit tonë. Ky është sulm ndaj parimeve, mbrapa të cilave qëndrojmë”.

Deklaratat e Trumpit kanë rizgjuar spekulimet se ai mund ta shkarkojë nga pozita Muellerin, i cili është emëruar vitin e kaluar, pasi presidenti Trump kishte shkarkuar drejtorin e FBI-së, James Comey, i cili në atë kohë ishte duke udhëhequr hetimet.

Përfaqësuesi demokrat, Adam Schiff ka thënë se veprimi i FBI-së është miratuar nga një gjyqtar.

“Kjo nuk është gjueti shtrigash. Është sundim i ligjit”, ka shkruar ai në Twitter./rel