Trump dhe demokratët, marrëveshje për emigrantët

Dy krerë demokratë arritën me Presidentin Donald Trump një marrëveshje që mbron nga deportimi mijëra emigrantë të rinj pa dokumente të rregullta.

Bota

14/09/2017 10:25

Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer njoftuan se me shefin e Shtëpisë së Bardhë ranë gjithashtu dakord të punojnë për një paketë sigurie kufitare e cila nuk përfshin propozimin e Trumpit për ngritjen e murit të shumëdiskutuar në kufi me Meksikën.

Shtëpia e Bardhë megjithatë mohon që muri të përjashtohet nga propozimet e paraqitura. Më e rëndësishmja për momentin është çështja e skemës DACA, e miratuar në kohën e Barack Obama, një projekt që i ofronte mbështetje të rinjve të dërguar ilegalisht në Amerikë prej prindërve të tyre që fëmijë.

Në fillim të muajit, Trump vendosi mbylljen e programit që mbron gati 800 000 vetë në SHBA, të cilëve u ofron njëkohësisht mundësi punësimi e studimi. Presidenti deklaroi në 4 shtator se skema do të mbyllej dhe Kongresit i la 6 muaj kohë në dispozicion për gjetjen e një plani zëvendësues. Pelosi deklaroi pas takimit të një dite më parë se Presidenti pranoi që parimet mbrojtëse të DACA-s të bëhen pjesë e një legjislacioni të ri, e kjo është e pranueshme nga të dyja palët. /TopChannel/