Trump dhe 8-vjeçarja siriane, personat më me influencë në internet

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump dhe 8-vjeçarja siriane, Bana Alabed, janë emëruar nga “Time Magazine” si dy nga njerëzit më me influencë në internet.

Bota

27/06/2017 19:27

 

Me postimet e tij legjendare, të fshehta dhe sensacionale,  presidenti i 45 amerikan u bë pjesë e listës së 24 personave  me prani të fuqishme në mediat sociale dhe aftësinë për të pushtuar titujt e gazetave.

Trump ka përdorur shkëlqyeshëm “Twitter”-in për të nxitur politikat e tij dhe për të sulmuar  armiqtë dhe kritikët e tij.

“Unë dua të bëhem një mësuese, por kjo luftë po më vret ëndrrat”, kështu shkruante Bana Alabed, 8-vjeçarja nga Alepo e cila në pamje të parë mund të duket si të gjithë fëmijët e tjerë, por që kur qyteti i saj u bë një zonë lufte, Bana ëndërronte vetëm të shpëtojë gjallë nga e gjithë kjo.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se me ndihmën e nënës së saj Fatemah, Bana ka krijuar një adresë “Twitter”-i në të cilën ka pasqyruar ditë pas dite jetën e saj në qytetin sirian, para se të evakuohej.

Nënë e bijë numërojnë  rreth 365000 ndjekës, që kur filluan të postonin për herë të parë në datën 24 shtator të vitit 2016.

“Nuk dal dot jashtë për shkak të bombardimeve, ju lutem ndaloni së bombarduari ne”, ishte statusi i parë që Bana shkroi në llogarinë e saj në “Twitter”.

“Aleppo është një vend shumë i mirë, por ne duam paqe. Dua të jetoj si fëmijë, por tani jam e stresuar”, një postim tjetër nga 8-vjeçarja siriane.