Trump: Atmosfera është fantastike në Shtëpinë e Bardhë

Atmosfera në Shtëpinë e Bardhë është fantastike, pretendon Donald Trump, pavarësisht verifikimit intensiv që po i bëhet lidhjeve të supozuara të stafit të tij të fushatës me Rusinë.

Bota

13/07/2017 09:44

Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha për Reuters se administrata “funksionon për bukuri”. Presidenti mbrojti po kështu të birin e gjendur këto ditë në fokusin e medias për takimin me një avokate ruse të lidhur me Kremlinin në kohën kur republikani luftonte për të marrë çelësat e Zyrës Ovale.

Në shtypin vendas thuhet se pas daljes në dritë të këtij takimi dhe reagimeve që ai ka ngjallur, Shtëpia e Bardhë është në kaos. Vetë një aleat i Trump e ka përshkruar gjendjen si “uragan i kategorisë së pestë”, thotë “Washington Post”. Kreu i shtetit amerikan u shpreh se ajo e fushatës ishte një kohë e rrëmujshme kur mund të takoheshe me lloj-lloj njerëzish. Ai refuzoi të thoshte se i vinte keq për veprimet e të birit, duke deklaruar se shumica e politikanëve mashtrues që njeh, të cilët janë demokratë dhe i ka parë në aksion ditët e fundit, do ta kishin pranuar atë takim sa hap e mbyll sytë.

Donald Trump Jr. e takoi Natalia Veselnitskaya duke menduar se ajo kishte informacione që do të dëmtonin kundërshtaren e të atit, Hillary Clinton. Ai tha për “Fox Neës” se takimi rezultoi nje “hiç” dhe se me juristen ruse harxhoi më kot 20 minuta, por e pranoi se duhet ta kishte menaxhuar ndryshe situatën.