Trullosja masive – Lajmi.net
Trullosja masive
Autori: Blerim Shala Op-EdOpinion 11:18, 6 September 2018
Në politikë mund të bësh shumëçka, pos të mos e prishësh politikën si të tillë, apo të mos instalosh prishjen e politikës. Këtë ne e kemi bërë pikërisht në Kosovë.

Trullosëse.

Në shumësinë e epiteteve dhe kualifikimeve me të cilat portalet tona të shumta, në atë rubrikën ‘Rozë’, përcjellin prezentimin e top modeleve vendore dhe ndërkombëtare, të yjeve të shumëllojshme të të gjitha lëmive, fushave dhe zhanreve, me gjasë, ky cilësor, ‘trullosëse’, ka një rreze veprimi shumë më të gjërë se sa që mendohet.

Në fakt, më së paku ai e ka vendin në atë rubrikën për argëtim, joshje dhe kërshëri.

Me gjasë, nuk ka epitet që i rri më mirë tani politikës kosovare, kur të mirren parasyshë ngjarjet e javëve dhe ditëve të fundit, se sa pikërisht ky: ‘trullosëse’.

E gjithë kjo shoqëria kosovare, ka nisë t’i humbë ndjenjat, të mos e di më se çka është në realitet orientimi në kohë dhe në hapësirë, se çka po shohim, dhe a mund e tëra kjo fare të kategorizohet logjikisht, e lëre me politikisht, pas gjithë fjalëve, gjesteve, veprimeve në politikë, të cilat janë bërë përditshmëri e jona.

Ta merr mendja që e gjithë kjo politika e jonë kosovare, është e ngujuar diku në ndonjë hapësirë të madhe të llojit të atyre që i ngjanë ‘Big Brother-it’, dhe që qytetarët e rëndomtë, si shikues të gjithë këtij show-it që nuk ka të sosur, detyrohen t’i përcjellin të gjitha këto çorodi, por pa të drejtë që të vendosin  (siç është puna tek Reality show-in zakonshëm), kush duhet të mbetet tutje brenda, e kush të dalë jashtë.

Pastaj, në Reality show, megjithatë, edhe kur teprohet me ka krejt  (si thuhet), fjala është për televizionin dhe për një lojë të madhe me pretendime argëtimi dhe shikueshmërie të lartë, ndërsa këtu, në këtë politikën kosovare, bëhet fjalë për fatin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjithë një shoqërie.

Por, nuk është aspak vështirë të tërhiqen paralelet në mes të këtyre emisioneve për përdorim masiv televiziv, dhe politikës (kosovare), që i synon masat. Kryesorja është, në te dy rastet, të jesh sa më interesant, të bësh emër, të jesh protagonist, qoftë edhe me deklarata dhe sjellje që nuk i rrinë larg epiteteve ‘skandaloze’  (por ai konotacioni thellësisht negativ i këtij nocioni dhe kësaj dukurie edhe ndër ne, si në Perëndim, ka humbur qëmoti), që diqysh të gjithë shikuesit/ lexo: votuesit, të dinë se kush je dhe me çka mirresh.

Vijat ndarëse midis politikanëve dhe partive politike në vend janë më të thella se kurrë, apo ato janë tashmë hendeqe, në tejkalimin e të të cilave më nuk bën punë  (këtë e dimë të gjithë), as Ambasada e SHBA-së, as Quint-i, askush prej diplomatëve perëndimorë.

Shqipja përplasëse, konfrontuese, përjashtuese, denigruses, fyese, në politikën tonë, ka siguruar përparësi të madhe ndaj anglishtës që thërret për marrëveshje dhe pajtim.

Në këtë aspekt së paku, njëmend jemi bërë shtet i pavarur. S’ka fjalë.

Është thënë edhe shkruar më herët, por në ndërkohë, gjërat nuk kanë ndryshuar për të mirë,  (por vetëm për të keq), prandaj, ia vlenë të përsëritet: Në politikë dhe me politikën mund të bësh shumëçka, pos të mos e prishësh politikën si të tillë, apo të mos instalosh prishjen e politikës. Këtë ne e kemi bërë pikërisht në Kosovë, dhe me gjasë, ky është njëri prej eksporteve më të suksesshëm të Shqipërisë ndër ne. Jemi bërë një, në këtë aspekt, apo, jemi bashkuar mirë e mirë. Për ta bërë keq e më keq politikën, si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri.

Mësimi kryesor i kësaj politike tek ne, është që në të vërtetë, ajo është krejtësisht e dëmshme, dhe atë në një periudhë kohore afatgjatë që lidhë shumë cikle zgjedhore  (apo, votimet në këtë aspekt nuk ndryshojnë gjë prej gjëje, ato janë vetëm një iluzion apo mashtrim), prandaj, fituesit dhe humbësit në zgjedhje janë kategori fare relative, sepse vetëm pozitat dhe rolet ndërrohen, pa ndryshuar gjë prej gjëje në aspektin e cilësisë politike.

Një tjetër mësim që është i ditur për gjithë Botën është që sa të ketë njerëzim dhe popuj, do të ketë politikë. Politika është kusht pa të cilin nuk bën në organizimin e një shoqërie dhe të një shteti. Ajo nuk mund të pezullohet, të prishet, të anulohet.

Duket që këtë nuk e kemi kuptuar ende në politikën kosovare. Ndërsa në rastin tonë, dhe këtë do të duhej ta dinim të gjithë, ende jemi larg për ta bërë Kosovën shtet të qëndrueshëm.

Fotolajm

Rozana Radi provokon nga pasqyra, shfaq gjoksin më shumë se ç’duhet
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO