Tronditet Luiziana, dy gra sulmohen me thikë, vritet polici

Tronditet Luiziana në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një person ka sulmuar me thikë dy gra, njëra prej të cilave humbi jetën menjëherë dhe tjetra ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Bota

27/08/2015 12:59

Ngjarja ka ndodhur në qytezën Sunset të Luizianës, 112 km në perëndim të kryeqytetit të shtetit Baton Rouge. Menjëherë më pas policia vendase nisi operacionin për kapjen dhe arrestimin e tij, ku gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i vdekur edhe një oficer policie.

Autori i ngjarjes së rëndë më pas u mbyll në një dyqan ushqimor , duke mbajtur peng tre persona aty. Policia arriti me sukses të arrestonte autorin dhe të shpëtonte pengjet, falë edhe gazit lotsjellës që lëshoi në ambientet e dyqanit.

Dëshmitarë në vendin e ngjarjes krahasojnë ngjarjen me një skenë filmi, ku vrasësi ishte veshur me kostumin e personazhit të njohur të filmit Rambo. Edhe lëvizjet e tij ishin të ngjashme me heroin e filmit aksion, ku për t’i shpëtuar policisë, autori depërtoi me makinë në vitrinat e dyqaneve.

Gjithçka nisi në një apartament shumë afër vendit të ngjarjes, ku autori për motive ende të panjohura sulmoi me thikë dy gra, motra të një kryetari bashkie në një qytetet aty afër. Hetuesit kanë nisur punën për zbulimin e shkaqeve të kësaj ngjarje të rëndë./oranews