Tribunali për UÇK-në mund ta përfshijë edhe Shqipërinë

Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, thotë se Tribunali për UÇK-në, mund ta përfshijë edhe Shqipërinë. Sipas tij, për këtë do të ndikojë edhe “Shtëpia e Verdhë” që ndodhet në pjesën veriore të Shqipërisë.

Lajme

09/04/2014 17:37

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, e ka quajtur të padrejtë që në njërën anë në Rudnicë po zhvarrosen qindra viktima shqiptarë, gjersa pikërisht për shqiptarët po krijohet një Tribunal që do t’i gjykojë ata për kryerjen e disa krimeve të supozuara.

Ai ka thënë në “Infomagazinë” të Klan Kosovës se asnjëherë UÇK-ja s’ka vënë dorë mbi ndonjë individ apo grup civil serbë.

“Në vend se të krijohet një Tribunal i posaçëm për krimet e Serbisë, vije dhe krijohet një Tribunal për krimet e supozuara për shqiptarët”.

“Karakteri i luftës që e kanë bërë shqiptarët ka qenë një karakter mbrojtës nga gjenocidi serb. Nuk mund të gjeni në këtë luftë asnjë fakt që ka qenë luftë e drejtuar kundër një individi apo popullate të pafajshme serbe. Ka qenë vetëm ndaj atyre që kanë pasur uniformën e veshur të shtetit të Serbisë”.

Por, sipas Konjufcës, ka përpjekje që në këtë Tribunal të përfshihet edhe Shqipëria në të cilën ndodhet ashtuquajtura “Shtëpia e Verdhë”, ku në raporti i Dick Marty-t thotë se është bërë transplatim organesh të serbëve nga UÇK-ja.

“Në këtë Tribunal po përpiqen ta përfshinë edhe Shqipërinë”.

“Dihet tashmë edhe prej zyrtarëve ndërkombëtar që justifikimi i krijimit të Tribunalit thonë se është të sqarohen dyshimet e Dick Martyt. Ato kanë të bëjnë me një shtëpi të supozuar e cila është në territorin e Shqipërisë e cila kinse paska shërbyer për dërgimin e robërve të luftës dhe për trafikim të organeve”.

“Për një shtëpi të verdhë po na krijohet një Tribunal, ndërsa shqiptarët në të gjitha mediat e botës do të proklamohen si trafikues organesh dhe Serbia po mbetet e amnistuar”, ka thënë Konjufca në KlanKosova”.