Tribunali i Hagës e liron gjeneralin serb që kreu krime në Kosovë

Tribunali i Hagës do ta lë të lirë gjeneralin serb, Vladimir Lazareviq më 3 dhjetor, bën të ditur “Veçernje Novosti”.

Lajme

25/11/2015 23:24

Ish gjenerali i Ushtrisë së Jugosllavisë do të lirohet për arsye humanitare, për shkak të gjendjen së rëndë shëndetësore, pas mbajtjes së 2/3 të burgut, transmeton Indeksonline.

Ai vuan nga kanceri dhe sulmet në tru (pika në tru).

Lazareviq është dënuar nga Tribunali i Hagës në vitin 2009 me 15 vjet burg, por ky dënim është ulur në 14 vjet pas ankesës.

Ai në Hagë është dorëzuar më 3 shkurt 2005. Është dënuar sipas përgjegjësisë komanduese, pasi që në luftën e vitit 1998-99 në Kosovë ka qenë komandat i Korpusit të Tretë të Prishtinës, e më pas edhe komandant i Armatës së Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë.

Lazareviq dhe eprori i tij Momir Stojanoviq, janë shpallur si përgjegjës për mbështetje dhe ndihmë në krim kundër njerëzimit me datën 27.04.1999 në Mejë, Korenicë, Ramoc dhe fshatrat tjera në Rekën e Keqe.

Për këto krime u gjet përgjegjës dhe Nebojsha Pavkoviq, komandant i armatës së tretë UJ-së dhe eprori Lazareviq si dhe Dragoljub Ojdaniq, ish shefi i Shtabit të përgjithshëm të UJ-së.

Për krimet në Rekën e Keqe ishin shpallur përgjegjës dhe Sreten Lukiq, ish-kreu i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Republikës së Serbisë për Kosovë dhe Metohi dhe Vlastimir Gjorgjeviq, ish zëvendëses Ministër i Punëve të Brendshme dhe Shef i Departamentit të Sigurisë Publike.