Tri vjet të çrregullimit politik

Po bëhet gati një mandat qeverisës dhe i politikës kosovare që prej se ne jemi mbetë pa qeveri dhe pa politikë të mirëfilltë në këtë vend.

Lajme

09/08/2017 14:54

Në verën e këtij viti, siç po e shohim të gjithë së bashku, përditë e më tepër, po bëhen tre vjet të plota të një çrregullimi të madh në funksionimin e politikës kosovare. Ekziston pra një vazhdimësi që ka siguruar këtë vlerësim apo konkludim, që bashkon dy palë zgjedhje nacionale  (në qershorët e vitit 2014 dhe 2017), dy palë probleme në konstituimin e institucioneve qendrore të Kosovës, dhe një Qeveri  (e cila madje, është ende në fuqi, apo thënë më mirë, akoma është në pa-fuqi), e cila nuk arriti të kryejë detyrën e vet si duhet, pikërisht në vijim të këtij çrregullimi në politikën kosovare.

 

Janë dy burime të kësaj çorodie politike (formulim që i bashkohet atij të çrregullimit), të cilat sot e kësaj dite po ofrojnë ‘lëndë djegëse’, për paralizën politike në vend, e cila shquhet me preokupimin intenziv të politikanëve dhe të partive shqiptare me veten, e jo me qytetarët e vendit dhe me problemet e Kosovës. Zatën, tash e tre vjet të plota, vetëm në raste të rralla, çështjet kryesore të këtij vendi kanë arritë disi të depërtojnë tek kryelajmet mediatike, sepse ato janë monopolizuar nga vetë politikanët dhe çrregullimi politik.

 

Burimi i parë për të cilin kemi shkruar këtu kohë më parë del nga defektet e konfirmuara të Kushtetutës së Kosovës së vitit 2008-të, të cilat mund të tejkalohen mjaft lehtë, me procedurat e njohura, poqëse do të ketë pak vullnet politik të liderëve kryesorë shqiptarë. Sërish ia vlenë të përsëritet që nëse nuk ndryshohet sistemi zgjedhor, dhe nëse nuk amandamentohet Kushtetuta e Kosovës, edhe sikur politikanët tonë të ndërrojnë qind për qind për të mirë, nuk do ketë qartësi legale dhe politike të mjaftueshme për t’iu shmangur krizave të paralajmëruara politike pas zgjedhjeve të reja, qofshin ato të rregullta apo të jashtëzakonshme.

 

Burimi i dytë natyrisht që ndërlidhet me këtë të parin, dhe flet për një akomodim të çuditshëm të politikës shqiptare të Kosovës me ‘favoret’ që ia ofrojnë Nenen problematike të Kushtetutës së Kosovës. Përmbajtja e Kushtetutës së Kosovës, kudo në Botën demokratike, shërben si udhërrëfyes për bërjen e pushtetit qëndror dhe për rregullimin e pushtetit në përgjithësi, pos te ne, ku ajo është ‘buletë njëkahëshe’ për gjendjen e vendnumërimit politik, që herë quhet ngërç, e herë krizë, por që nuk ofron gjë pozitive për këtë vend.

 

Natyrisht, në tri vitet e kaluara që janë gati një mandat i plotë politik i humbur për një vend, gjë që është paradoks në veti  (për të cilin thuaja kush nuk flet ndër politikanët shqiptarë), ka ndodhë përkeqësimi i të gjithë diskursit politik, është hetuar devalvimi i terminologjisë politike që përdoret për ‘qërimin e hesapeve’ (ku llogaritë thuaja në tërësi paguhen prej qytetarëve të këtij vendi), ka ngjarë edhe aplikimi sistematik i dhunës si mjet i pronovimit politik dhe i agjendave të ndryshe politike, ka shënuar rritje enorme popullizmi si ofertë politike, është dëmtuar shumë pozicioni ndërkombëtar i Kosovës, është shënuar për herë të parë që prej se jemi nisë në rrugëtimin e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, një rënie evidente e raporteve në mes të Kosovës dhe SHBA-së.

 

Mund gjithsesi të vazhdohet me përshkrimin e të gjitha pasojave të prishjes evidente të një politike normale që me të gjitha të metat e saja, ka qenë në fuqi në Kosovë deri tre vjet më parë. Me gjasë, ka vend edhe për krijimin e një Komisoni të veçantë vendor dhe ndërkombëtarë i cili do të mund të mirrej me listimin e të gjitha dëmve të vetë-shkaktuara tash e tre vjet të plota.

 

Politikanët tonë, këtë e kanë detyrë të përditshme, do të vazhdojnë të fajësojnë njeri-tjetrin për gjendjen në të cilën kemi rënë, të gjithë së bashku, që prej qershorit të vitit 2014 e këndej. Qytetarët e këtij vendi, do të shpresojnë, edhe një herë, si shumë herë në të kaluarën, që kur të vie momenti kur të gjithë politikanët tonë do të jenë të shtrirë për toke (si thuhet), nga raskapitja në kërkim të daljes nga labirinthi i cili me meritën e tyre i ka të gjitha udhët e mbyllura, do të ndodhë ndërhyrja e Ambasadës së SHBA-së dhe e diplomatëve të tjerë perëndimorë, me një formulë tjetër shpëtimtare.

Dhe kështu me radhë.