Tri vite radhazi në play off, Shkëndija do “kokën” e Rosenborgut

Rosenborgu e siguroi play offin pasi në raundin e tretë të Europa League eliminoi Cork Cityn e Republikës së Irlandës me rezultat të përgjithshëm 5-0.

Sport

17/08/2018 13:34

Shkëndija e Tetovës për të tretin vit radhazi do të luajë në play off të UEFA Europa League, ndërsa rivali  në këtë fazë do të jetë skuadra kampione e Norvegjisë, Rosenborg.

Ecuria e suksesshme deri në raundin e tretë eliminator të Champions League bëri që kuqezinjtë të kenë të sigurt pjesëmarrjen në play off të UEFA Europa League edhe pas eliminimit nga Red Bull Salzburgu.

Rosenborgu e siguroi play offin pasi në raundin e tretë të Europa League eliminoi Cork Cityn e Republikës së Irlandës me rezultat të përgjithshëm 5-0, transmeton “SS”.

Në raundin e parë të Champions League norvegjezët eliminuan kampionin e Islandës, FC Valur. Edhe pse humbën 1-0 takimin e parë si mysafirë, norvegjezët kaluan më tej falë fitores 3-1 në ndeshjen e kthimit. Xhiroja e dytë eliminatore i rezervoi një rival të vështirë Rosenborgut, pikërisht Celtic Glasgow, që u kualifikua më tej me rezultatin e përgjithshëm 3-1.

Rosenborgu, rivali i radhës së Shkëndijës është rekordmen me titujt e fituar në Norvegji. Numëron 25 tituj kampion, 11 herë ka fituar Kupën, pa harruar faktin se është ekipi norvegjez me më shumë ndeshje të luajtura në kupat e Europës.

Ndeshjet si vendas Rosenborgu i luan në “Lerkendal Stadion” në Trondhajm me kapacitet prej 21 400 vende, ndërsa lojtari më i njohur është sulmuesi i Danimarkës, Nicklas Bendtner.

Ndeshja e parë Rosenborg-Shkëndija do të luhet në Norvegji, më datë 23 gusht, ndërsa ekipi që do të sigurojë grupet e Europa League do të vendoset më 30 gusht në Shkup.