Tri temat e përhershme kosovare

Raporti i kohës, energjisë, fjalëve që përdoren në adresimin e tri temave të përditshme kosovare, me ato të zhvillimit ekonomik të Kosovës, të gjendjes sociale në vend dhe nivelit të papunësisë, është me siguri 20:1.

Lajme

13/04/2017 12:45

Nuk kalon ditë e vetme politike dhe mediatike në Kosovë, ku në njërën apo tjetrën mënyrë, në një kontekst apo tjetrin, nuk përmenden tri kryetemat e Kosovës: Çështja e FSK-së, apo, e transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës, ajo e Marrëveshjes për shenjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, dhe e mbrama, ajo e formimit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Dita na çelë dhe na mëshelë duke bërë llafe, shpjegime, interpretime dhe analiza për këto tri Pika të Rendit të Ditës së këtij vendi, para të cilave, të gjitha temat e tjera, qoftë edhe të rëndësisë sipërore për të gjithë ne, shndërrohen në çështje të dorës së dytë, në mos edhe margjinalizohen në tërësi.

Raporti i kohës, energjisë, fjalëve që përdoren në adresimin e akëcilës prej këtyre tri temave me ato  (ta marrim këtu si shembull), të zhvillimit ekonomik të Kosovës, të gjendjes sociale në vend dhe nivelit të papunësisë, është me siguri 20:1, në mos edhe më tepër.

Sidoqoftë, statusi i këtyre temave nuk është i njejtë, së paku nëse ato vlerësohen nga prizmi i perspektivës për t’i përmbyllur si duhet, në një kornizë kohore që matet me muaj, ashtuqë Kosova të përfitojë, si politikë dhe si shoqëri, prej zgjidhjes së tyre.

Në fakt, nëse do të ndodhte konkludimi i suksesshëm i temës së FSK-së, të Marrëveshjes për kufurin në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, dhe i Asociacionit/ Bashkësisë, s’do mend që do të lehtësohej shjumë rrugëtimi i Kosovës kah BE-ja dhe Pakti NATO, qytetarët e Kosovës do të udhëtonin pa viza në Evropë, në përgjithësi ky vend do të merrte frymë më lirshëm.

Nëse. Pra.

Por ja që në rrethanat e tanishme, së paku, del që vetëm në temën e parë, atë të bërjes së Armatës së Kosovës, po vërehet qartësimi i situatës, dhe mund të paramendohet, me një saktësi evidente, udhëtimi politik dhe diplomatik i Kosovës drejt rrumbullakësimit të procesit të transformimit të FSK-së në Ushtri. Janë gjasat reale që jo më vonë se në fund të këtij viti, të ndodhë transformimi i FSK-në në Armatë të mirëfilltë. Debati publik rreth kësaj teme ka qenë i dobishëm, sepse ka bashkuar faktorin vendor dhe atë ndërkombëtar  (në radhë të parë, SHBA-në), në qëndrimin që duhet provuar ndryshimi i mandatit të FSK-së me votimin e Amandamenteve të Kushtetutës së Kosovës, dhe nëse kuptohet që kjo udhë nuk mund të kalohet dot  (për shkak të kërkesës kushtetuese për votën e dyfishtë), atëherë, do të ndodhë kthimi në opsionin që nënkupton përdorimin e Ligjit të ri për FSK-në si një mjet ligjor për mandatin e ri  (të Armatës), për FSK-në.

Këtu pra, në temën e FSK-së, është i qartë rrugëtimi prej tash deri në finale, dhe nuk mund të ketë befasi të reja, apo të panjohura që mund ta prolongojnë arritjen e qëllimit.

Ky konstatim nuk vlenë fare kur trajtohen dy temat tjera të së përditshmes kosovare, megjithëse, këtu vërehen dallimet thelbësore kur të krahasohet çështja e Asociacionit me atë të Marrëveshjes kufitare me Malin e Zi.

Tek tema e Asociacionit, është fare e qartë që bërja e tij ka mbetë obligim vendor dhe ndërkombëtar i autoriteteve të Kosovës  (këtë e ka konstatuar edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në Vendimin e dhjetorit të vitit 2015), sikurse që është qartësuar, me të tërat, se çka mund të jetë ai Asociacion, në respektim të plotë të Kushtetutës dhe Ligjeve të Kosovës. Megjithatë, për shkaqe të shumta, të cilat janë pasojë e ndërlikueshmërisë së madhe të vetë politikës kosovare, vështirë që mund të ketë ecje para në përgatitjen e Statutit të Asociacinit/ Bashkësisë në javët dhe muajtë e ardhshëm.

Megjithatë, siç po kuptohet gjithnjë e më shumë, tema më e rëndë, gjithnjë e më e mundimshme në këtë treshin e çështjeve të vazhdueshme kosovare, është ajo që përkon me obligimin e Ratikimit të Marrëveshjes ndërkufitare me Malin e Zi.

Kjo Marrëveshje, siç e dimë të gjithë, është kufiri që ndanë qytetarët e Kosovës prej të drejtës për të udhëtuar lirshëm për në Evropë. Ky ‘kufi’ ka marrë trajtën e një muri të lartë, që nuk rrënohet dot, dhe që nuk mund të kapërcehet prej politikës kosovare.

Do të ishte mrekulli e vërtetë nëse së shpejti do t’i gjindej zgjidhja kësaj teme.

Duket që ajo do të na përcjell tutje. Për çdo ditë të lume.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)