Tri sulme dhe një kanosje ndaj mjekëve këtë vit

Tre mjekë të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) janë sulmuar nga pacientët dhe një tjetër është kanosur vetëm nga janari i këtij viti e deri më tani, bëjnë të ditur zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Lajme

27/07/2018 10:15

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se të gjitha këto raste janë proceduar në Prokurorinë e Shtetit. “Për t’i parandaluar rastet e tilla dhe për të ngritur nivelin e sigurisë kemi angazhuar nga dy policë, të cilët mbulojnë Qendrën Emergjente 24 orë me punë sekondare, si dhe patrullat e rregullta për mbulim të terrenit bëhen përgjatë gjithë kohës”, ka thënë ai.

Rasti i fundit i sulmit ndaj stafit mjekësor është raportuar në Policinë e Kosovës gjatë kësaj jave.

Lulzim Thaçi, infermier në Klinikën Emergjente në Prishtinë, të hënën që lamë pas është sulmuar fizikisht nga 49-vjeçari F. Rakovica, pasi ai i kishte kërkuar pacientit të merrte një udhëzim në hyrje të Klinikës, ndërsa ky nuk i ishte bindur infermierit kështu që ai e ka sulmuar atë fizikisht.

F. Rakovica kishte kërkuar trajtim mjekësor në këtë klinikë, pasi ishte thumbuar nga bleta.

Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Basri Lenjani, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se infermieri ishte sulmuar gjatë turnit të natës. “Të hënën rreth orës 03:05 minuta, në turnin e natës në vendin e punës sulmohet fizikisht infermieri i Klinikës Emergjente nga pacienti. Shumica e personave të cilët vijnë në klinikë janë pa udhëzime, pra të padrejtuar nga mjeku familjar. Në rastin në fjalë, infermieri i ka thënë të sëmurit meqenëse nuk ka udhëzim të shkojë në hyrje të Emergjencës dhe ta marrë udhëzimin. Ai nuk ka pranuar dhe aty ka filluar sulmi fizik”, ka thënë ai.