Tri shkeljet për të cilat PDK çon në Kushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës

Gazeta Express sjell tri shkeljet potenciale të Kushtetutës për të cilat PDK pritet t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Lajme

17/07/2014 19:24

1. Grupi Parlamentar LDK-AAK-NISMA nuk janë certifikuar si Grupi më i madh parlamentar. Raporti i Komisionit ad-hoc për verifikim të mandatave, i cili i prezantoi LDK-në, AAK-në dhe Nismën si grupe të veçanta u miratua nga Kuvendi me shumicë absolute të votave;

2. Veprimi i Kryetarit të Kuvendit dhe Kryesisë së Kuvendit nga Legjislatura IV, kur në zbatim të nenit 8 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës merr vendim ose autorizon në mënyrë tjetër bashkimin në një Grup Parlamentar të deputetëve të LDK-së, AAK-së dhe NISMA, para konstituimit të Legjislaturës së V-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës përbën shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përkatësisht nenit 67, paragrafi 7, nënparagrafi 4;

3. Gjatë seancës konstituive, Kryesuesja e seancës ftoi PDK-në të prezantojë kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit, në këtë moment në mënyrë demonstrative LDK, LVV, AAK, NISMA, si dhe Lista Srpska kanë dalë nga salla. Pas kësaj, kryesuesja fton Sekretarinë të bëj numërimin e deputetëve prezent. Pas verifikimi të Sekretarisë se në Kuvend ishin vetëm 47 deputetë të pranishëm, kryesuesja konstatoi, me të drejtë dhe në bazë të përgjegjësive të saj, se nuk ka kuorum që të vazhdojë mbledhja, duke e mbyllur seancën konstitutive. Në këtë moment, seanca konstitutive e ftuar nga Presidentja e Republikës, konsiderohet e mbyllur. Pas kësaj, në sallë janë futur deputet e LDK-LVV-AAK-NISMA dhe minoritetet, duke organizuar një mbledhje të veçant të Kuvendit të Republikës, një mbledhje e cila nuk u ftua nga askush me përgjegjësi për ta bërë një gjë të tillë. Edhe sikur mbledhja të ishte ftuar nga një autoritet përkatës, ftesat për një mbledhje të tillë nuk kanë shkuar fare tek deputetët e PDK-së, me fjalë të tjerë një mbledhje e këtillë nuk mund të shihet ndryshe pos si një mbledhje ilegale e një grupi të deputetëve. Që mbledhja e Kuvendit, pas përfundimit zyrtar nga kryesuesja, në mungesë kuorumit, të jetë efektive dhe legale, do të duhej të ftohej sipas procedurave të Kuvendit që sqarohen shumë mirë në Rregulloren e punës. Në konkluzion, Isa Mustafa nuk është zgjedhur Kryetar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.