Tri parimet kosovare për finalen e bisedimeve të Brukselit – Lajmi.net
Tri parimet kosovare për finalen e bisedimeve të Brukselit
Autori: Blerim Shala LajmeOp-EdOpinionPolitikë 17:36, 2 November 2017
Cilat janë pozicionet aktuale të Prishtinës dhe Beogradit, para se në Bruksel të fillojnë bisedimet finale për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë.

Viti i ardhshëm llogaritet që do të jetë vendimtar për fatin e bisedimeve të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat nisën, në nivelin teknik, në vitin 2011, për tu bartur pastaj, në nivelin më të lartë politik, në vitin 2012.

Kësaj radhe, duket që ka indikacione të qarta nga tri palët, nga Kosova, Serbia dhe BE, që njëmend synohet arritja e një Marrëveshjeje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila me terminologjinë gjermane dhe kosovare ka domethënien e një Dokumenti legal ndërkombëtarisht obligativ, i cili për herë të parë në historinë e rëndë dhe tragjike të këtyre raporteve, do ta kishte domethënien e krijimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

Teksa vetë koncepti/ synimi i dialogut politik në Bruksel është pak a shumë i qartë për Prishtinën dhe Beogradin, qysh tash mund të supozohet që këto bisedime do të jenë të mundimshme dhe të ndërlikuara, sepse do të flitet për çdo detal të mundshëm, dhe teksa pala kosovare, të cilës do t’i prinë Presidenti Thaçi, do të insistojë në qartësinë maksimalisht të mundshme në një dokument të këtij lloji, pala serbe, në krye me Presidentin Vuçiq, do të provojë që në tekstin e Marrëveshjes të ketë sa më shumë ‘dykuptimësi pozitive’, të cilat do ta shmangnin krijimin e raporteve të qarta midis dy shteteve.

Duket që vizita e Hoyt Yee-së, zyrtarit të lartë të State Departmentit  (Zëvendës-Asistent Sekretarit të Shtetit), në Beograd dhe në Prishtinë, që ndodhi javën e kaluar, kësaj here kishte mesazhe eksplicite për te dy palët, për të shmangur çdo keqkuptim të mundshëm qysh tash, në vjeshtën e këtij viti, për një variant të synuar të lidershipit të Serbisë, në përmbylljen e bisedimeve të Brukselit. Tërësia territoriale e Kosovës është e garantuar, nuk mund të ketë dhe nuk duhet të ketë bisedime për ndarje dhe shkëmbim të territorit në mes të Kosovës dhe Serbisë, pohoi qartë Hoyt Yee.

Yee pra e rikonformi që njëri prej Parimeve kyç prijës të Grupit të Kontaktit të vitit 2005, para se të lansoheshin bisedimet për statusin e Kosovës, nën udhëheqjen e Presidentit Ahtisaari, mbetet në fuqi. Dy Parimet tjera asokohe flisinin për pamundësinë e kthimit të Kosovës në gjendjen para vitit 1999, dhe në ndalimin e bashkimit të Kosovës me një shtet fqinj. Ky Parimi i parë është krejtësisht i konsumuar  (apo askush nuk e dëshiron atë, madje as Beogradi zyrtar), ndërsa ky i dyti është i kodifikuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Kur dihen një mori deklaratash të Zëvendës-Kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiqit, për modelin e ndarjes/shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe kur supozohet që ky është realisht synimi kryesor i Beogradit zyrtar në finalen e bisedimeve të Brukselit, megjithë qëndrimeve të qarta dhe kategorike të Yee-së, do të ishte befasi e dorës së parë nëse autoritetet më të larta të Serbisë nuk do të provojnë ta shtrojnë në tavolinën e bisedimeve edhe propozimin për ndarjen territoriale/ shkëmbimin e territoreve. Natyrisht, ky opsion assesi nuk do të nënkuptonte që Serbia do të ishte e gatshme ta njoh formalisht shtetin e Kosovës, pas këtij ripërkufizimi territorial. Përkundrazi, dëshira e zjarrtë e Beogradit zyrtar është që Kosova, në atë rast, do të pushonte së ekzistuari si shtet i pavarur.

Ripërkufizimi territorial në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku Beogradi do të merrte ‘atë që është e jona’  (siç është shprehur shpesh kohëve të fundit Presidenti serb Vuçiq, me aludimet e qarta të vazhdimësisë së kontrollit të zhvillimeve në Veri të Kosovës), dhe shuarja e shtetit të Kosovës, përbëjnë dy shtyllat kryesore të ‘Skenarit më të mirë të mundshëm’ të udhëheqësisë së Serbisë.

Natyrisht, Kosova i di fare mirë interesat e vet strategjik, të cilat do të mund të definoheshin, nga perspektiva e sotme së paku, si tërësi e tri Parimeve kyç:

Së pari, shteti i Kosovës do të ekzistojë përjetë e mot. Së dyti, tërësia territoriale e Kosovës nuk mund të jetë çështje diskutimi, dhe këtu Prishtina mund të llogarisë në përkrahjen e plotë, jo vetëm të Washingtonit zyrtar, por edhe të Brukselit dhe të gjitha kryeqendrave të mëdha perëndimore. Së treti, funksionaliteti i shtetit të Kosovës duhet të sigurohet me Marrëveshjen legale ndërkombëtarisht obligative.

Në këtë mënyrë pra, në respektim të këtyre tri Parimeve mund të definohet qartë fusha/ territori i bisedimeve në mes të autoriteteve më të larta të Kosovës dhe Serbisë.

(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)

Fotolajm

‘’Në makinë, ka njerëz që nuk do të takohen kurrë më!’’
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Turbo Racing 3
  • Play Berry Rush
  • Play Bubble Trouble
  • Play Bike Rivals