Tri lopë e një viç në këmbim të një veture

Papunësia e madhe, mungesa e parave kesh si dhe dogana e akciza e lartë, janë arsyet të cilat po pengojnë shitjen-blerjen e automjeteve, ku qytetarët anë e kënd Kosovës, i mbledhin ato në tregun e automjeteve të përdorura, në zonën industriale në Prishtinë, për t`i shitur.

Lajme

06/07/2014 17:26

Gjatë ditës së diel, vetëm deri në orët e mesditës, më shumë se 400 automjete, në këtë treg, ofrohen për tu shitur, e më pak se 10% prej tyre arrijnë të ndërrojnë pronarin.

Kështu thonë për KosovaPress, shitësit në këtë treg.

E shumica e këtyre automjeteve, vërehet se vijnë nga shtetet e Evropës.

Çmimet e automjeteve nga më të ndryshmet, më e ulëtat 5 mijë euro e deri mbi 20 mijë euro, për shitësit e automjeteve janë të arsyeshme, megjithëse, pranojnë se interesimi i qytetarëve për blerje të tyre, është mjaftë i ulët.

Ndërsa, për blerësit është e kundërta.

Këto çmime vlerësohen si mjaftë të larta, duke marrë parasysh edhe doganën e akcizën që duhet paguar për automjete. Por, në mungesë të parave kesh, ndërrimi i makinave, ose edhe këmbimi me diçka tjetër, është një mundësi e mirë për ta.

E në tregun, ku janë të parkuara këto makina, asnjëherë askush nuk ka bërë ndonjë investim, e që Komuna e Prishtinës, është përgjegjëse.

Istref Mazreku, qytetarë nga Malisheva, thotë për KosovaPress, se edhe pse çmimet nuk janë mjaftë të larta, është dogana që atyre po u pengon në blerjen e një makine të mirë.

“Çmimet nuk janë të larta, por nga ana e lekëve jemi ma pak, nuk ka pare, koha është kështu. Çmimi minimin, 5 mijë 6 mijë 7 mijë …… Dogana është shumë e shtrenjtë, më së tepër mi dogana ..kjo audi më së paku i ka 4 mijë euro doganë dhe e blenë 8 mijë euro, dogana është shumë e shtrenjtë. Disa ligje i kemi bërë gati si në Shqipëri, por këtë ligj nuk e kanë bërë, se në Shqipëri e doganon makinën 600 euro 700, këtu 3 mijë euro, është shumë shtrenjtë”, tha ai. 

Edhe Safet Skenderaj, tregon se është e vështirë për të blerë një automjet me çmim të volitshëm për mundësitë e qytetarëve që i kanë sot.

Thotë se edhe dogana është mjaftë e lartë.

“Kam dal për kerr por shtrenjtë shumë.., Ne që e kemi vendos çmimin kurrkund nuk po livrit, shtrenjtë janë edhe pse kanë ardhur nga jashtë dogana shtrenjtë, më shkurt nuk ka kurrgjë… Çmimet ndër 5 mijë e 500 nuk ka, 6 mijë 7 mijë, Golfat, se Golf po këqyri”, ka thënë ai.

Ndërsa, një shitës, në këtë treg, më së paku ka 2 makina që ka ndërmend t`i shes.

Fatmir Ferati nga Podujeva, tregon për KosovaPress, se nga 3 makina që i ka në shitje, vetëm një i është shitur. Por sipas tij, interesimi më i madh i qytetarëve është që të bëjnë ndërrime.

 “Sot i kam qitë 3 kerre për me i shitë, të interesuar ka, por me pare janë shumë të rrallë, më shumë janë të interesuar me ndërrime dhe neve s`po na konvenon.. sot e kam shitë një veturë edhe 2 i kam, të interesuar ka shumë pak.. çmimi më i ulët është 2 mijë 2 mijë e 500 më i larti është deri në 8 mijë 10 mijë euro” tha Ferati.

Madje, qytetarët duan që automjetet luksoze t`i marrin, në këmbim të shtazëve.

Idriz Musliu, nga Vushtrria, thotë për se për makinën e tij, i janë ofruar tri lopë e dy viça.

 “Sot një javë njëri më tha po t`i jap 3 lopë e dy viça, u tuta nuk ja dhashë se nuk e dita ku i ka marr, e me pare e shes. 7 mijë euro e kam qitë në shitje, është kerr i mirë, tash kur të është kësmet, besojë që 5 mijë i bënë” ka thënë ai.

Ndërsa, Faredin Halili, nga Prizreni, thotë se në treg ka dal vetëm për kuriozitet për të parë se me çfarë çmimesh, po shiten automjetet. Megjithëkëtë, tha se nëse është i interesuar dikush që ta blejë makinën e tij, ai e shet.

 “Siç po shihet ka krizë edhe në pazarin e veturave. Paret veç kanë ec, i kanë marrë paret serbët dhe veç ka shitës, blerës siç po shihet shumë pak… vetëm një makinë, kjo është personale për kuriozitet dolëm me shiku sa pi japin, por nuk ka çmim, 19 mijë e 500 e kjo veturë bënë 20 e kusurë mijë”, thotë ai.

E edhe vetë shitësit e këtyre automjeteve pohojnë se për shkak të doganës së lartë, ata duhet t`i zbresin sa më shumë çmimet, e prap as që i blenë dikush ato.

Besim Avdyli nga Podujeva thotë se në gjitha vendet e rajonit, dogana arrin deri në 500 euro e ndërsa në Kosovë, qytetarët për makinat e tyre, paguajnë deri në 2 mijë euro doganë.

Ndërsa, sipas mbikëqyrësve të këtij tregu, brenda një të diele, ditë kjo e vetmja e tregut të automjeteve, mbi 400 automjete ofrohen për shitje, por ata nuk dhanë një numër se sa arrijnë të shiten, duke u arsyetuar, se të dhëna të tilla ka vetëm komuna e Prishtinës, e cila është përgjegjëse për këtë treg.

E KosovaPress, ka tentuar të kontaktoj me Komunën e Prishtinës, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.