Tri fjalët e njëjta që Mkhitaryan gjithmonë i thotë në intervistën e parë për klubin e ri

Robbie Keane përveç se ishte një sulmues shumë i njohur, mbahet mend edhe për frazat “një ëndërr e bërë realitet”, sa herë që prezantohej te skuadra e re, duke bërë të kuptohet se fati po e çonte gjithmonë te skuadrat e tij të preferuara.

Sport

22/01/2018 23:47

Duket se “fatin” e njëjtë në futboll, po e ka edhe Henrikh Mkhitaryan, që sot kompletoi transferimin të Arsenal.

29 vjeçari në fjalët e para si lojtar i Arsenalit, ka thënë se po realizon një ëndërr që e kishte që nga fëmijëria.

“Jam shumë i lumtur që është arritur kjo marrëveshje, jam shumë i lumtur që jam këtu. Është një ëndërr që po realizohet, sepse gjithmonë kam ëndërruar të luajë për Arsenalin”, ka deklaruar Mkhitaryan për faqen zyrtare të klubit.

Por, mediet kanë zbuluar se armeni ka ëndërruar të luajë edhe për Borussia Dortmundin dhe Manchester Unitedin, në bazë të deklaratave të bëra kur është prezantuar te këto dy skuadra.

“Është një ëndërr. Zemra ime vendosi për Dortmundin”, ka deklaruar Mkhitaryan në vitin 2013.

Tre vite më vonë, gati të njëjtën gjë e tha edhe për Manchester Unitedin.

“Është një ëndërr të luaj për Manchester Unitedin”, citohet të ketë thënë armeni./Lajmi.net/