Tri fjalë që ‘kallën’ Ballkanin – Lajmi.net
Tri fjalë që ‘kallën’ Ballkanin
Autori: Blerim Shala LajmeOp-EdOpinionPolitikë 12:38, 16 November 2017
Është shumë e qartë kush synon dhe kush mundet me i sjell probleme të mëdha Balkanit, apo stabilizimit afatgjatë të kësaj pjese të Evropës.

Tri fjalë që tronditën Ballkanin. Dhe më gjërë. Madje.

Ditët e kaluara pra u mbizotëruan, në këtë politikën e kësaj ane të Evropës, e cila qe katër vjet është një ishull pothuaj i harruar, i rrethuar në të gjitha anët me shtete anëtare të Paktit NATO dhe të BE-së, i shndërruar në fushëbetejë për (de)stabilizimin afatgjatë në mes të Federatës së Rusisë dhe Perëndimit, nga një deklaratë e një zyrtari boshjak, që pastaj u mor për pretekst për t’i rihapë istikamet politike, propagandistike dhe mediatike.

Fatmirësisht, për istikame të tjera nuk është rendi. Dhe as mundësia.

Bakir Izbetbegoviq, që përfaqëson boshnjakët në Kryesinë e Bosnjës dhe Hercegovinës, në pyetjen e gazetarit se a do të duhej ky shtet ta njihte Kosovë në të ardhmen, ishte përgjigjur: ‘Mendoj se po…’.

Natyrisht, Izetbegoviq më parë, në këtë intervistë, kishte shpjeguar që organizimi i brendshëm i këtij shteti (ku te tri komunitetet kanë të drejtë të veto-s), e pamundëson këtë vendim, sepse politikanët serbë kanë të drejtë të pengojnë çdo vendim që nuk ju pëlqen atyre. Pra, ai prononcimi i tij në formën e ‘Mendoj se po…’, në fakt është një deklaratë që nuk ka kurfarë efekti të mirëfilltë politik, as sot, dhe as në të ardhmen.

Por ja që Izetbegoviq bëri namin dhe ‘hallakati’ gjithë Ballkanin me këtë prononcim i cili me siguri, për pak ditë, do të harrohet prej të gjithëve, madje edhe prej atij vet.

Udhëheqësia e Serbisë, në radhë të parë Presidenti Aleksandar Vuçiq, u kap për këtë deklaratë për ta bërë bujën dhe namin përmes një interpretimi krejtësisht të paqëndrueshëm, sipas të të cilit dilte që zyrtari boshnjak, me këtë fjali ka provokuar rëndë paqen dhe stabilitetin në këto anë të Ballkanit Perëndimor, i cili sot është më larg se kurrë Perëndimit evropian, dhe më afër se sa mbahet në mend, ndikimit të Lindjes ruse.

Natyrisht, sa çelë e mëshel sytë u bënë krahasimet e Kosovës me Republikën Serbe (entitet të Bosnjës dhe Hercegovinës). Vuçiq në deklaratën e tij pohoi që sikur ai të kishte deklaruar që Serbia do ta njeh Republikën Serbe, ai do të përfundonte në Hagë.

S’do mend që ky është një tjetër krahasim i kotë, i gabuar, i paqëndrueshëm, madje edhe i rrezikishëm. Megjithëse ka diçka të përbashkët në mes të Kosovës dhe Republikë Serbe: Krimi. Republika Serbe është krijesë që lidhet me shpërblimin e krimit, me përfitimin nga krimi. Republika e Kosovës është, pos tjerash, edhe konsekuencë e ndëshkimit të një krimi të madh.

Të gjithë ata që pak a shumë e përcjellin politikën në këto anë të Evropës, e dinë që nuk është rendi që një deklaratë e kësisojt e një zyrtari të destabilizojë Ballkanin. Tek e mbrama, nëse njëmend mund të ndodhë diçka e tillë, kur një prononcim shkakton termet politik dhe të sigurisë në Ballkan, atëherë ky fakt flet sa të brishta janë shtetet dhe shoqëritë e kësaj pjese të Evropës. Por nuk është ashtu. Në realitet, asnjë shtet i gjashtëshes së mbetur në ‘Dhomën e pritjes’ për anëtarësim në BE, vet nuk mund më të bëj gjë, apo të kthejë prapa orën e historisë, në vitet tragjike të luftës, të cilat njohën si autorin e vet kryesor Sllobodan Millosheviqin dhe Beogradin zyrtar. Kjo kohë ka kaluar një herë e përgjithmonë. Por, s’ka dyshim që ka pretendime evidente nga jashtë, nga politika dhe diplomacia ruse, për të shfrytëzuar dhe për të cytur  (për më shumë), mospajtimet dhe tensionet midis shteteve që u krijuan si rezultat i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, për ta ndëlikuar, shtyrë, mundësisht edhe për ta pamundësuar rrumbullakësimin e hartës së BE-së dhe të Paktit NATO në Evropën Jug-Lindore.

Në Mal të Zi në tetor të vitit të kaluar pati tentim të grushtshtetit, për ta shmangur anëtarësimin e këtij shteti në Paktin NATO, në Kosovë pati krizë në fillim të vitit  (me trenin shumëngjyrësh dhe murin midis Mitrovicës), në Maqedoni u shënua përpjekja për të përgjakur Kuvendin e Maqedonisë dhe për të inicuar një konflikt ndëretnik.

Është pra shumë e qartë kush synon dhe kush objektivisht mundet me i sjell probleme të mëdha Balkanit, apo stabilizimit afatgjatë të kësaj pjese të Evropës. Këtë assesi nuk mund ta bëj një zyrtar boshjnak, në një shtet i cili është shumëfish i paralizuar dhe i bllokuar.

Këtë realitet i kemi të qartë të gjithë ne që jetojmë në këtë skutë të Evropës. Por duket që ky lajm ende nuk kuptohet si duhet në vetë Bashkimin Evropian.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)

Fjalët kyçe: Blerim Shala, Opinion

Fotolajm

‘’Në makinë, ka njerëz që nuk do të takohen kurrë më!’’
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Supercar Showdown
  • Play Turbo Racing 3
  • Play Urban Basketball
  • Play Stealth Sniper