Trepça dikur prodhonte deri në 560 kg ar në vit, e sot asnjë

Trepça për rreth gjysmë shekulli ka arritur të prodhojë 10.700 kg ar të pastërtisë së lartë. Mesatarisht për çdo vit, prodhoheshin 238 kg ar, ndërsa në 15 vitet e fundit, nuk është prodhuar asnjë kg i vetëm. 

Lajme

31/05/2014 13:22

Eksperti, Shyqyri Kelmendi, thotë se në të kaluarën, 1945-1990, në \”Trepçë\” janë prodhuar gjithsej 10.700 kg ar i pastërtisë së lartë. Sipas tij, në të kaluarën \”Trepça\” ka prodhuar ar të pastër në sasi prej 200 deri në 560 kg në vit, ose për 45 vite është arritur mesatarja prej 238 kg për një vit. 

Ndërsa, pas luftës nuk është prodhuar asnjë gram ar. 

Zëdhënësi i kësaj ndërmarrje, Bislim Muça, ka thënë se aktualisht në Trepçë nuk po prodhohet ari. “Kjo po ndodh për shkak të dëmtimeve që janë bërë gjatë kohës së luftës nga forcat serbe në Metalurgjinë e Plumbit dhe Zinkut”, është shprehur ai. 

Sipas tij, për shkak të problemeve me të cilat është përballur Trepça pas lufte nuk janë bërë studime të reja në lidhje me mineralizimet e arit në xeheroret e plumb-zinkut. 

Zëdhënësi Muça u referohet të dhënave të mëhershme, që dëshmojnë për prodhimin e arit. Nga studimet e mëparshme, dihet se mesatarja e arit në xehen e plumbit, në minierat e Kombinatit Trepça, është 1 gram ar për një tonelatë xehe. 

Ai thotë se në vitin e shkuar, 2013, ndërmarrja Trepça (pjesa jugore) ka prodhuar 186 ton xehe të plumb-zinkut. Nga kjo sasi xeherori, pas pasurimit janë përfituar 14500 tonë koncentrat. 

Ndërkaq, në tremujorin e parë të këtij viti, nga minierat e Trepçës janë nxjerrë 45.500 tonë xeheror, ndërsa pas pasurimit të këtij xeherori, janë prodhuar afër 4000 tonë koncentrat.

Por, asnjë gram ar nuk është nxjerrë nga kjo sasi e mineraleve të nxjerra. 

Dr.Shyqri Kelmend, ligjërues universitar në Fakultetin e Gjeoshkencave dhe Teknologjisë në Mitrovicë, sqaroi se ari është metal i çmueshëm, i cili në natyrë gjendet në formë elementare, pra nuk paraqitet në formë të ndonjë metali kompleks. 

Eksperti Kelmendi, thotë se në të kaluarën 1945-1990, në Trepçë janë prodhuar gjithsej 10.700 kg ar i pastërtisë së lartë. Ari prodhohej me teknologjinë e përpunimit me elktrolizë, të produktit të ndarë në rafinerinë e plumbit, pasi që nga ai produkt largohej argjendi dhe “papastërtitë” e tjera”. 

Sipas Kelmendit në të kaluarën Trepça ka prodhuar ar të pastër në sasi prej 200 deri në 560 kg në vit, ose për 45 vite është arritur mesatarja prej 238 kg për një vit. “Prej vitit 1990 deri më 2000, ari ka vazhduar të prodhohet në rafinerinë e plumbit në Zveçan, por kalkulohet që sasia e tërsishme e prodhimit për këto vite nuk ka mundur të kalojë sasinë prej 100 kg”, tha ai. (Kosova Sot)